RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Egjipti dhe Arabia Saudite thirrje për sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, Bab al-Mandeb dhe Detin e Kuq

egjipti-dhe-arabia-saudite-thirrje-per-sigurine-e-lundrimit-ne-ngushticen-e-hormuzit,-bab-al-mandeb-dhe-detin-e-kuq

Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi dhe Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, bënë thirrje sot për garantimin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, Bab al-Mandeb dhe Detin e Kuq, transmeton Anadolu.

Bin Salman mbërriti në Kajro sot herët për bisedime me Sisin, mes tensioneve në rritje në gjithë rajonin e Lindjes së Mesme. Pas një takimi me dyer të mbyllura mes dy liderëve, janë zhvilluar bisedime të zgjeruara me delegacionet e të dyja vendeve, njoftoi presidenca egjiptiane.

Dy liderët kanë rënë dakord se siguria e Arabisë Saudite dhe e vendeve të Gjirit është pjesë e sigurisë kombëtare të Egjiptit ndërsa Kajro ka shprehur “kundërshtimin dhe dënimin e plotë” ndaj çdo sulmi apo kërcënimi ndaj sovranitetit, stabilitetit dhe integritetit territorial të mbretërisë, apo ndaj lirisë së lundrimit në ujërat ndërkombëtare.

Ata kanë theksuar se rrethanat aktuale rajonale kërkojnë solidaritet dhe koordinim më të madh mes Kajros dhe Riadit dhe kanë rënë dakord të intensifikojnë përpjekjet për zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh dhe eliminimin e pengesave për rritjen e tregtisë dhe investimeve.

Lidhur me zhvillimet rajonale, të dyja palët kanë theksuar nevojën për koordinim të vazhdueshëm, ndërsa Sisi ka përsëritur mbështetjen e Egjiptit për masat e ndërmarra nga Arabia Saudite për mbrojtjen e sigurisë dhe stabilitetit të saj, si dhe për arritjen e një zgjidhjeje politike gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për krizën në Jemen.

Dy liderët kanë theksuar gjithashtu rëndësinë e garantimit të lirisë dhe sigurisë së lundrimit detar në Ngushticën e Hormuzit dhe Bab al-Mandeb si dhe në Detin e Kuq.

Sa i përket Palestinës, ata kanë rikonfirmuar mbështetjen për një zgjidhje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse të bazuar në zgjidhjen me dy shtete dhe legjitimitetin ndërkombëtar ndërsa kanë bërë thirrje për dërgimin e ndihmave të mjaftueshme humanitare në Gaza dhe për t’u dhënë fund shkeljeve izraelite në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Ata kanë rikonfirmuar mbështetjen për sigurinë dhe stabilitetin e Sudanit, kanë kundërshtuar barazimin e ushtrisë sudaneze me milicitë apo entitete të tjera paralele dhe kanë paralajmëruar se kërcënimet ndaj unitetit dhe integritetit territorial të Sudanit përbëjnë rrezik për sigurinë rajonale.

Bisedimet e Bin Salmanit në Egjipt pritet të përfshijnë edhe bashkëpunimin ekonomik, në një kohë kur tregtia, investimet dhe projektet e përbashkëta mes dy vendeve janë në rritje.

Princi i Kurorës e vizitoi për herë të fundit Kajron më 15 tetor 2024, kur zhvilloi bisedime me Sisin për marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale e ndërkombëtare.

Related posts

Gabriel Escobar në Kosovë/ Lëvizje pozitive pas takimit me Kurtin, palët zbusin qëndrimet ndaj njëra-tjetrës

admin

Hyn në fuqi ligji në Gjermani, shqiptarët mund të përfitojnë dyshtetësinë! Përfitimet dhe kushtet që duhen plotësuar

admin

India: Mbajtja e takimit të G20-tës në Xhamu dhe Kashmir është “e natyrshme”

admin