Ekipe të shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës bashkë me Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim janë vendosur në Hatay të Turqisë, një nga zonat më të prekura nga tërmeti shkatërrues që goditi të hënën.
Shpëtues nga e gjithë bota kanë fluturuar për në Turqi pas tërmetit për të ndihmuar në kërkim-shpëtim.
FSK-ja ka arritur që gjallë të nxjerrë një fëmijë me nënën e tij dy ditë më parë.
Shoqata për Kërkim dhe Shpëtim ka publikuar fotografi e video nga Hatay ku po bëhen ende përpjekje për të mbijetuar.
Të premten vonë ajo ka njoftuar se po intervenon edhe me organizatën TTK – Minatorët e Turqisë- meqë shoqata ka pajisje teknike më të përsosura.
SHKKSH-ja ka thënë se s’do të ndalet në operacionin për shpëtim dhe se do ta bëjë të pamundurën. Dje ekipi ka nxjerrë shtatë kufoma nga rrënojat, në mesin e tyre edhe fëmijë.
Numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri pesë ditë pas tërmetit ka shkuar në mbi 24,000.