RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Emigrantët thonë se uria dhe armiqësia i detyruan të kthehen nga Ceuta në Marok

emigrantet-thone-se-uria-dhe-armiqesia-i-detyruan-te-kthehen-nga-ceuta-ne-marok

Emigrantët që notuan ose kapërcyen gardhet për të hyrë me vrull këtë javë në enklavën spanjolle të Ceutës në Afrikën e Veriut, po ktheheshin të shtunën në shtëpitë e tyre, ndërsa shumë prej tyre thanë se uria, lodhja dhe armiqësia nga banorët vendas ua kishin shuar shpresat për një jetë të re në Evropë.

Ata që po ktheheshin i kanë thënë Reuters se fillimisht ishin nxitur nga videot që u bënë virale në rrjetet sociale dhe nga mesazhet e miqve, sipas të cilave kufiri, i ruajtur me masa të rrepta sigurie, mund të kalohej.

Por pasi mbërritën në Ceutë, shumë thanë se nuk gjetën asnjë mënyrë për të vazhduar drejt territorit kontinental të Spanjës.

“Ne erdhëm për të bërë përparim, jo për t’u mashtruar”, ka thënë Brahim, një punonjës furre buke nga Fezi, i cili la punën dhe kaloi kufirin pasi pa videot e mijëra njerëzve që bënin të njëjtën gjë. “Mendova se do të ndërtoja një të ardhme më të mirë atje. Por u befasova nga ajo që gjeta në Ceutë”.

Brahimi ka shtuar se mbijetoi për tri ditë vetëm me ujë dhe nuk mund të përballonte çmimet e larta të ushqimit në anën spanjolle.

“Si është e mundur që një sanduiç me ton të shitet për 100 dirhemë (rreth 10.75 dollarë)?. Ceuta ishte si një burg”, ka shtuar ai.

Në Fnideq, qytetin maroken përballë Ceutës, gazetarët e Reuters kanë parë rrugë pothuajse të zbrazëta që të çonin drejt pikës kufitare, në kontrast të fortë me mijëra njerëzit që ishin mbledhur aty të enjten.

Të rinjtë largoheshin nga kufiri përgjatë autostradës ose prisnin taksi për t’u larguar nga Fnideq, ku edhe dyqanet kishin qenë të mbyllura prej disa ditësh.

Ata që u kthyen treguan vazhdimisht se supermarketet dhe dyqanet ishin të mbyllura, duke i lënë të kërkonin ushqim dhe ujë, ndërsa rrobat e lagura i thanin nëpër rrugë.

“Ceuta ishte si një burg – nuk kishe çfarë të bëje atje. Gjithçka ishte e mbyllur”, ka thënë një punonjës i portit maroken Tanger Med, i cili nuk pranoi të identifikohej sepse duhej të kthehej në punë.

Disa emigrantë akuzuan gjithashtu banorët e lagjes El Príncipe, një lagje me shumicë marokene në Ceutë, se i kishin sulmuar ose i kishin detyruar të largoheshin.

Kamerieri maroken Yassine Ichou ka thënë se ishte goditur dhe ndjekur nga banorët e El Príncipes.

“Ata vendosën një rrethim për të na detyruar të largoheshim vetë nga Ceuta… dhe ia dolën”, ka deklaruar ai, duke iu referuar mbylljes masive të dyqaneve.

Ministria e Brendshme e Spanjës ka thënë se dy persona kanë pësuar lëndime të lehta nga sulme me thikë në dy incidente të ndara dhe se policia ka arrestuar njërin nga autorët e dyshuar. Sipas ministrisë, që nga e enjtja nuk ishte regjistruar asnjë vdekje si pasojë e sulmeve me thikë në Ceutë.

Rachid, një punonjës i një hoteli në Fnideq pranë kufirit, ka thënë se të gjashtë punonjësit e kuzhinës së hotelit ishin larguar drejt Ceutës në kulmin e fluksit të emigrantëve dhe asnjëri nuk ishte kthyer, duke e detyruar menaxhmentin të kërkonte punonjës të rinj.

Në anën tjetër të kufirit, në Ceutë, kafenetë u rihapën dhe klientët filluan të riktheheshin, ndërsa qyteti po i kthehej gradualisht normalitetit.

Shumica e dyqaneve mbetën ende të mbyllura, ndërsa automjetet e policisë patrullojnë rrugët për të garantuar sigurinë.

“Vendosëm t’i hapnim lokalet sepse, në fund të fundit, jeta duhet t’i kthehet ritmit normal. Por siguria jonë dhe e stafit tonë mbetet gjithmonë përparësi”, ka thënë Marina Castano, 24 vjeçe, prindërit e së cilës zotërojnë dy kafene në qendër të qytetit.

Disa banorë kanë thënë se situata në periferi vazhdonte të ishte e tensionuar.

Një punonjës i një qendre pritjeje për emigrantët ka thënë se qendra ishte plot dhe nuk kishte më kapacitete për të pranuar persona të tjerë, duke vlerësuar se mijëra emigrantë ndodheshin ende në enklavë.

Ndërkohë, Mohamed Ahmed, një 43-vjeçar nga Sudani, ka thënë se një kamion e kishte lënë atë dhe emigrantë të tjerë pranë kufirit, ndërsa më pas kishte notuar për katër orë për të mbërritur në Ceutë.

Ai ka shtuar se policia po i pengonte të merrnin rrugën drejt një qendre për emigrantët, por këmbënguli se nuk kishte ndërmend të largohej nga Spanja.

“Nuk do të kthehem. Më mirë të vdes duke u përpjekur këtu”, ka thënë Ahmed.

Përktheu: Flutura Gashi-Mehmeti/koha

Related posts

Sistemi i mbrojtjes ajrore KORKUT i Turqisë vazhdon të rrisë kapacitetet në mbrojtjen ajrore

admin

Qeveria italiane rrit dënimet deri në 30 vjet për trafikantët e qenieve njerëzore

admin

Erdogan: Turqia do të vazhdojë të tregojë të vërtetën për atë që po ndodh në Gaza

RTI