RTV AHIRETI
LajmeLajmetRajon dhe Botë

Erdogan: Është koha të shohim zbatimin e angazhimeve nga Finlanda dhe Suedia

erdogan:-eshte-koha-te-shohim-zbatimin-e-angazhimeve-nga-finlanda-dhe-suedia

Presidenti i Türkiye-s (Turqisë), Recep Tayyip Erdoğan, tha se nënshkrimi i një memorandumi për të adresuar shqetësimet e Türkiye-s për terrorizmin ishte hapi i parë dhe tani është koha që Suedia dhe Finlanda të zbatojnë angazhimet e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në ceremoninë e diplomimit të Universitetit të Mbrojtjes Kombëtare në Istanbul, presidenti Erdoğan tha se nëse dy vendet nordike u përmbahen kushteve të vendosura në marrëveshjen trepalëshe, Türkiye nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e tyre në NATO.

Por, ai shtoi se nëse shohim ndonjë shenjë ngecjeje apo hipokrizie, do të kthehemi në pozicionin tonë të vjetër.

Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO në muajin maj, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Por Türkiye, një anëtare e aleancës prej kohësh, shprehu kundërshtime ndaj synimeve për anëtarësim, duke kritikuar vendet për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste.

Përpara samitit të NATO-s në Madrid, Türkiye, Finlanda dhe Suedia nënshkruan të martën një memorandum pas bisedimeve katërpalëshe në Madrid. Marrëveshja u lejon dy vendeve nordike të bëhen anëtarë të NATO-s, por i kushtëzon ato të ndërmarrin hapa për shqetësimet e terrorizmit të Türkiye-s dhe të heqin embargon e armëve ndaj Ankarasë.

Pas marrëveshjes, NATO ftoi zyrtarisht dy vendet nordike për t’u bashkuar me aleancën ushtarake 30-anëtarëshe.

Duke folur në lidhje me Greqinë, Erdoğan tha se Türkiye është në dijeni të “aktiviteteve shpërqendruese që kryhen duke përdorur Greqinë”.

Ai tha se Türkiye do të vazhdojë t’u përgjigjet “provokimeve të vazhdueshme” nga Greqia dhe shkeljes së hapësirës ajrore turke.

Presidenti turk u shpreh se vendi do të mbrojë kufijtë tokësorë, detarë dhe ajrorë në perëndim të vendit, pa asnjë lëshim të të drejtave në Detin Egje dhe duke shfrytëzuar plotësisht mundësitë që dalin nga marrëveshjet ndërkombëtare.

Erdoğan tha se Athina nuk duket se i zgjidh konfliktet përmes dialogut dhe negociatave.

“Shpresoj se grekët, me mjete demokratike, do të japin mesazhin dhe mësimin e nevojshëm për pushtetarët e tyre, të cilët po ndjekin aventura që do të përfundojnë në katastrofë për ta”, tha ai.

Muajin e kaluar, presidenti turk kritikoi kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis për komentet e tij për Türkiye-n gjatë një vizite zyrtare në SHBA. Erdoğan tha se kryeministri grek më nuk është i përshtatshëm për t’u marrë me të.

Türkiye në muajt e fundit ka rritur gjithashtu kritikat ndaj Greqisë që vendos trupa në ishujt në Egjeun lindor, pranë bregdetit turk dhe në shumë raste të dukshme nga bregu.

Këta ishuj duhej të çmilitarizoheshin sipas Traktatit të Lozanës të vitit 1923 dhe Traktatit të Parisit të vitit 1947, kështu që çdo trupë apo armë në ishuj është rreptësishtë e ndaluar.

Related posts

Opozita në Francë kërkon që vendi të mos i shesë armë Izraelit

admin6

Raisi: Perëndimi ka dështuar ta izolojë Iranin

admin

Vuçiq i drejtohet shqiptarëve: Ju lutem për qetësi

admin