RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe BotëTurqi

Erdoğan inauguroi Xhaminë e restauruar Sultanahmet në Stamboll- VIDEO

erdogan-inauguroi-xhamine-e-restauruar-sultanahmet-ne-stamboll-video

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, bëri inaugurimin e Xhamisë Sultanahmet në Stamboll, e cila së fundmi u restaurua nga Drejtoria e Përgjithshme turke e Vakëfeve, raporton Anadolu.

Erdoğan mbajti një fjalim në oborrin e xhamisë së restauruar, pas namazit të xhumasë.

Fjalimin e tij e nisi duke lexuar ajete nga Surja Taha, ndërsa përshëndeti edhe besimtarët që ishin të pranishëm.

Ai falënderoi të gjithë kontribuesit e restaurimit të xhamisë. “Xhamia Sultanahmet është një ndër simbolet më të rëndësishme të Istanbulit. Ndoshta edhe i pari”, u shpreh Erdoğan, duke theksuar se është detyrë e tyre të ruajnë dhe ringjallin veprën trashëgimore.

Hutben e xhumasë në xhaminë e restauruar Sultanahmet e mbajti Kreu i Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet) Ali Erbaş.

Erdoğan në inaugurim u shoqërua nga kryeparlamentari Mustafa Şentop, ministri i Kulturës dhe Turizmit Mehmet Nuri Ersoy dhe zyrtarë të tjerë.

Ndërkohë, ekipet e Anadolus kanë xhiruar me dron FPV Xhaminë Sultanahmet dhe kompleksin e saj.

Xhamia Sultanahmet

Ndërtimi i Xhamisë Sultanahmet ka filluar në vitin 1609 në njërën nga 7 kodrat e Stambollit, ndërsa ka zgjatur 7 vjet, 5 muaj e 6 ditë. E hapur më 9 qershor 1617 në kohën e perandorit osman Sulltan Ahmed Hani i Parë, arkitekt i xhamisë ka qenë Sedefkar Mehmed Ağa, nxënësi i Mimar (Arkitekt) Sinanit.

Xhamia njihet edhe si Xhamia Blu, ndërsa cilësohet si “xhamia e fundit e madhe e periudhës klasike”. Xhamia është ndërtuar si një kompleks me dyqane, çezma, shkolla dhe shumë ndërtesa të tjera, disa prej të cilëve nuk kanë mbijetuar deri më sot.

Xhamia Sultanahmet në vitin 1985 iu shtua Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Deri më sot ka pasur 5 restaurime, ndërsa e 6-ta dhe e fundit ka filluar më 6 korrik 2017 nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve.

Përveç një mbylljeje të shkurtër pesëmujore gjatë restaurimit, Xhamia Blu ka mbetur në funksion, megjithëse me kapacitet të kufizuar.

Related posts

Serbët në veri sot do të protestojnë kundër Vuçiqit dhe Listës Serbe

admin

Blinken: NATO duhet të forcojë Ukrainën për të penguar sulmet e ardhshme

rezart morina

Një përmbledhje e zhvillimeve të fundit në Pa’lestinë, dita 306 e lu’ftës

RTI