RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Erdoğan: Izraeli me ndërprerjen e furnizimeve përpiqet të parandalojë që të dëgjohet e vërteta në Gaza

erdogan:-izraeli-me-nderprerjen-e-furnizimeve-perpiqet-te-parandaloje-qe-te-degjohet-e-verteta-ne-gaza

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Izraeli, i cili në mënyrë të qartë kreu një krim lufte duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike, ujë, karburant dhe ushqim, po përpiqet gjithashtu që të parandalojë të dëgjohet persekutimi që ndodh duke ndërprerë komunikimin e banorëve të Gazës me jashtë, transmeton Anadolu.

Erdoğan dërgoi një video-mesazh në Samitin Ndërkombëtar të Komunikimit Strategjik (Stratcom Summit’23), që po zhvillohet në Istanbul, një aktivitet që organizohet për herë të tretë këtë vit nga Kryesia e Komunikimeve pranë Presidencës Turke.

Ai theksoi se samiti këtë vit po mbahet në një periudhë dhimbjeje të papërshkrueshme, ndërsa nga 7 tetori ka ndodhur një brutalitet dhe masakër e madhe në të cilën janë shkelur të gjitha vlerat e mundshme të njerëzimit.

Presidenti turk në mesazhin e tij tërhoqi vëmendjen te gazetarët që kanë humbur jetën në sulmet e Izraelit.

“Civilët e shënjestruar qëllimisht nga Izraeli nuk kufizohen vetëm me fëmijë dhe gra. Izraeli gjithashtu vret edhe gazetarët të cilët përkundër të gjitha vështirësive përpiqen që tragjedinë humanitare në Gaza t’ia përcjellin botës. Në sulmet izraelite deri më sot janë masakruar mbi 60 gazetarë. Izraeli i cili në mënyrë të qartë kreu një krim lufte duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike, ujë, karburant dhe ushqim, po përpiqet gjithashtu që të parandalojë të dëgjohet persekutimi që ndodh duke ndërprerë komunikimin e banorëve të Gazës me jashtë”, theksoi ai.

Sipas tij, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), i cili është përgjegjës për sigurimin e paqes dhe stabilitetit global, ka qenë plotësisht jofunksional gjatë kësaj periudhe.

“Rezoluta e miratuar me 40 vota ‘të përmbajtur’ dhe 121 vota ‘pro’ në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ishte i kuptimplotë dhe i vlefshëm në atë që pasqyronte ndërgjegjen e përbashkët të njerëzimit”, shtoi ai.

Erdoğan tha se përveç vdekjeve të fëmijëve në krizën e Gazës, ata po aq janë trishtuar edhe nga transmetimet e njëanshme të mediave ndërkombëtare.

Mes tjerash, Erdoğan theksoi se Turqia përmes Qendrës për Luftimin e Dezinformimit ka zbuluar mbi 100 gënjeshtra të përhapura nga Izraeli, duke e shpalosur të vërtetën.

“Kryesia e Komunikimeve, TRT dhe Anadolu kanë përmbushur përgjegjësitë e tyre”, tha ai.

Erdoğan përgëzoi me gjithë zemër të gjithë gazetarët që mbrojnë të vërtetën, pavarësisht nëse janë vendas apo të huaj, duke tërhequr vëmendjen në rëndësinë e komunikimit strategjik.

“Duhet të luftojmë kolektivisht kundër efekteve shkatërruese të dezinformimit që korrupton demokracinë dhe synon të drejtat dhe liritë individuale” shtoi Erdoğan.

Related posts

Afrin, 10-vjeçarja siriane ua mëson shkrim-leximin bashkëmoshatarëve të saj

admin

73 gazetarë palestinezë të vrarë nga ushtria izraelite në Gaza që nga 7 tetori

admin6

Arabia Saudite sekuestron 46 milionë pilula amfetamine të fshehura në miell – VIDEO

admin