RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Erdoğan: Netanyahu nuk do t’u shpëtojë pasojave të asaj që ka bërë

erdogan:-netanyahu-nuk-do-t’u-shpetoje-pasojave-te-asaj-qe-ka-bere

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se diskutimi i pretendimit se Izraeli do të krijojë një zonë tampon në Gaza është mungesë respekti për palestinezët, raporton Anadolu.

“Gaza u përket palestinezëve. Ne nuk njohim asnjë vendimmarrës që injoron vendimet e tyre”, u tha presidenti Erdoğan gazetarëve në fluturimin e tij të kthimit nga vizita dyditore në Katar.

Erdoğan gjithashtu shprehu gatishmërinë e Turqisë për të organizuar një konferencë të paqes për konfliktin Izrael-Palestinë dhe për të shërbyer si një komb garantues, duke theksuar kushtin “për aq sa ata vërtet duan paqen”.

Ai shtoi se pa mbështetjen për Izraelin nga vendet perëndimore, “veçanërisht SHBA-ja”, situata aktuale në rajon nuk do të ekzistonte.

“Kryeministri izraelit, (Benjamin) Netanyahu, është në prag të valëvitjes së flamurit të bardhë”, shtoi ai.

Presidenti turk theksoi se Netanyahu nuk do t’u shpëtojë pasojave të asaj që ka bërë, ai do të sillet para drejtësisë dhe do të paguajë çmimin për krimet e luftës që ka kryer.

Lidhur me planet e Izraelit për të vrarë anëtarët e Hamasit jashtë vendit, Erdoğan tha se, “Nëse ata guxojnë diçka të tillë kundër Turqisë dhe popullit turk, ata do të paguajnë një çmim të rëndë nga i cili nuk mund të rikuperohen”.

“Ata që tentojnë një gjë të tillë të mos harrojnë se pasojat mund të jenë jashtëzakonisht të rënda. Askush në botë nuk është i painformuar me përparimin që ka arritur Turqia në fushat e inteligjencës dhe sigurisë në mbarë botën, askush nuk duhet ta harrojë këtë. Për më tepër, ne nuk jemi shtet i sapo-krijuar”, tha presidenti turk.

Të premten e kaluar, Izraeli rifilloi ofensivën ushtarake në territorin palestinez pas përfundimit të një pauze humanitare 1-javore me grupin palestinez Hamas.

Të paktën 16.248 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 43.616 të tjerë janë plagosur në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore në enklavë që nga 7 tetori pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi.

– Erdoğan kërkon nga Kongresi Amerikan të veprojë për shitjen e F-16-tës për të përfunduar procesin e Suedisë në NATO

Lidhur me aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO, Erdoğan tha se Kongresi Amerikan duhet të ndërmarrë hapa për shitjen e avionëve F-16 dhe pjesëve të përmirësuara në Turqi, në mënyrë që “të gjitha palët të mund të ndërmarrin hapat e mbetura të nevojshme në të njëjtën kohë”.

“Nëse SHBA-ja ka një Kongres, ne kemi parlamentin tonë. Nuk ka asgjë për të thënë (për aplikimin e Suedisë në NATO) derisa të vijë një vendim përfundimtar nga parlamenti ynë”, tha presidenti turk.

Duke theksuar se e përmbushi detyrën e tij duke dërguar protokollin e NATO-s për pranimin e Suedisë në parlamentin turk në muajin tetor, Erdoğan tha se pret diçka nga homologët e tij.

Njëkohësisht, kaloni këtë (shitjen e avionëve F-16) përmes Kongresit tuaj për këtë çështje dhe le t’i ndërmarrim këto hapa së bashku në të njëjtën kohë, tha ai.

Erdoğan nënshkroi protokollin e pranimit të Suedisë në NATO dhe e dorëzoi atë në parlament më 23 tetor. Më 26 nëntor, Komisioni i Punëve të Jashtme në parlamentin turk e prolongoi shqyrtimin e protokollit.

Për t’u bashkuar me aleancën, të cilën Suedia e kërkoi pasi Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022, Stockholmi duhet të ketë miratimin e të gjithë anëtarëve aktual të NATO-s, përfshirë të Turqisë e cila është anëtare e aleacën për më shumë se 70 vjet me ushtrinë e dytë më të madhe pas SHBA-së.

Turqia ka kërkuar nga autoritetet suedeze të ndërmarrin hapa konkrete për të zbutur shqetësimet e sigurisë së Ankarasë, veçanërisht në lidhje me mbështetjen për organizatën terroriste PKK-ja, sulmet e të cilës prej dekadash kanë marrë rreth 40 mijë jetë njerëzisht në Türkiye.

Turqia kërkon të blejë nga SHBA-ja avionët e modelit më të fundit ‘F-16 Block 70’, si dhe 79 pjesë të modernizuara për të përmirësuar avionët F-16 të mbetur në nivelin e ‘Block 70’.

Related posts

Tërmeti Turqi-Siri : 1400 të vdekur; Godet tërmeti i dytë i madh

admin

Dy deputetë gjermanë i reagojnë Escobarit, për kushtet e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

admin

Qyteti i New York-ut shpall gjendje emergjente për shkak të lisë së majmunit

admin