Me lejen e Allahut do të shpallim shekullin e Turqisë më 28 maj, tha presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan në rrjetet e tij sociale duke iu referuar datës në të cilën do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve ku synon të fitojë kundër kandidatit të opozitës Kemal Kilicdaroglu.
“Turqia pret shërbimet dhe iniciativat tona, kombi ynë pret që ne t’i arrijmë qëllimet”, tha kreu turk, duke falënderuar votuesit që e mbështetën në raundin e parë të atyre që ai i quajti zgjedhjet më kritike, ku mori 49,5% të votave.
“Luftuam fort pa provokime, duke injoruar presionin, pa u frikësuar dhe nuk u dorëzuam kur u përballëm me vështirësi”, tha presidenti turk duke kujtuar se votimi do të mbahet në ditën pas 63-vjetorit të grushtit të shtetit të vitit 1960.
Grusht shteti i parë në historinë e Republikës Turke, kur junta ushtarake rrëzoi qeverinë e udhëhequr nga Adnan Menderes, i cili erdhi në pushtet pas atyre që konsiderohen si zgjedhjet e para demokratike të periudhës republikane. /atsh