Presidenti turk foli edhe për vërshimet shkatërruese që goditën Pakistanin gjatë vitit 2022 dhe tha se Turqia është e gatshme të ndihmojë, ashtu siç ka bërë deri tani.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha sot se Turqia po bën atë që i takon në betejën globale kundër ndryshimeve klimatike.
“Është e qartë se efektet destruktive të krizës klimatike kërkojnë më shumë përpjekje kolektive. Ndryshimet klimatike dhe problemet që i shkaktojnë janë probleme të përbashkëta të njerëzimit”, tha Erdoğan nëpërmjet një videomesazhi në konferencën speciale ndërkombëtare për klimën, të organizuar nga Kombet e Bashkuara në Pakistan dhe Gjenevë.
Duke folur për vërshimet shkatërruese që e kapluan 1/3 e Pakistanit vitin e kaluar, që lanë 1.700 viktima, Erdoğan tha se kjo katastrofë i tregoi sërish efektet shkatërruese të ndryshimeve klimatike.
“Lufta kundër kësaj katastrofe dhe atyre të ngjashme me të duhet të bëhet në mënyrë solidare, në kuadër të strategjisë”, tha Erdoğan.
Presidenti turk shprehu gatishmërinë e Ankarasë për të ndihmuar rimëkëmbjen duke plotësuar nevojat urgjente të të prekurve nga katastrofa në Pakistan.
“Agjencia për Menaxhimin e Situatave të Jashtëzakonshme (AFAD) dhe organizatat tona joqeveritare e tregojnë gjithë ndjeshmërinë e nevojshme në dërgimin e ndihmës humanitare”, tha Erdoğan.
Presidenti Erdoğan tha se Turqia e ka përkrahur Pakistanin në të kaluarën, në këto kohëra të vështira, dhe do të vazhdojë ta përkrahë edhe më tej.
“Kemi dërguar 7.500 tonelata ndihmë humanitare me 15 fluturime dhe 13 trena”, tha presidenti turk.
Ai gjithashtu potencoi se Turqia ka dërguar edhe 2 anije me mbi 1.630 tonelata ndihmë humanitare, duke shpresuar se, sapo të arrijnë anijet në port, vuajtjet e pakistanezëve do të zbuten deri diku. /aa