RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Erdoğan: Turqia pret që BE-ja të përmbushë detyrimet e saj të neglizhuara prej kohësh – VIDEO

erdogan:-turqia-pret-qe-be-ja-te-permbushe-detyrimet-e-saj-te-neglizhuara-prej-kohesh-–-video

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Turqia pret që Bashkimi Evropian (BE) t’i përmbushë detyrimet e saj të neglizhuara prej kohësh ndaj vendit, raporton Anadolu.

“Natyra gjithnjë e më komplekse e sfidave rajonale dhe globale tregon se ekziston një nevojë për t’i çuar përpara marrëdhëniet Turqi-BE mbi një bazë të shëndetshme”, tha presidenti Erdoğan në fjalën e tij në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.

“Ne presim që BE-ja të fillojë me shpejtësi të përmbushë detyrimet e neglizhuara prej kohësh ndaj vendit tonë. Sidomos qëndrimet ambivalente ndaj Turqisë duhet t’i jepen fund”, theksoi presidenti turk.

Turqia aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 1987 dhe ka qenë vend kandidat që nga viti 1999. Negociatat për anëtarësimin e plotë filluan në vitin 2005, por viteve të fundit kanë ngecur për shkak të pengesave politike të ngritura nga disa vende.

Racizmi, ksenofobia dhe islamofobia kanë arritur nivele të pa tolerueshme

Në fjalën e tij, presidenti Erdoğan po ashtu paralajmëroi se nivelet e racizmit, ksenofobisë dhe islamofobisë kanë arritur në një pikë të rrezikshme.

“Racizmi, ksenofobia dhe islamofobia, të cilat përhapen si virus veçanërisht në vendet e zhvilluara, kanë arritur nivele të pa tolerueshme, tha Erdoğan.

Ai theksoi se shenjat e ksenofobisë, racizmit dhe islamofobisë, që po kalojnë në një krizë të re, kanë arritur përmasa alarmante në vitin e fundit.

Duke theksuar se gjuha e urrejtjes, polarizmi dhe diskriminimi ndaj njerëzve të pafajshëm lëndojnë ndërgjegjen publike në të gjitha anët e botës, presidenti turk u ankua se politikanët populistë në shumë vende vazhdojnë të luajnë me zjarrin duke inkurajuar këto tendenca të rrezikshme.

“Mentaliteti që inkurajon sulme të urryera kundër Kuranit të Shenjtë në Evropë, duke i lejuar ato nën maskën e lirisë së shprehjes, në fakt po errëson të ardhmen e saj (lirisë së shprehjes)”, tha Erdoğan.

Ai theksoi se Turqia do të vazhdojë të mbështesë iniciativat për të luftuar islamofobinë në të gjitha platformat, veçanërisht në OKB, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OIC).

Presidenti turk gjithashtu u bëri thirrje liderëve botërorë, të cilat siç tha ai, refuzojnë sulme të tilla ndaj vlerave të shenjta, që të mbështesin luftën e Türkiyes.

Kohëve të fundit kanë ndodhur një sërë sulmesh ndaj Kuranit, si djegie dhe përdhosje të tjera, veçanërisht në vendet e Evropës veriore. Këto sulme shpesh janë kryer me mbrojtjen e policisë.

Këto sulme kanë shkaktuar zemërim dhe dënim të gjerë.

Erdoğan paralajmëron kundër ndërhyrjes ushtarake në Niger

Më tej, Erdoğan paralajmëroi në lidhje me pasojat e mundshme të ndërhyrjes ushtarake në Niger, duke theksuar rrezikun e paqëndrueshmërisë më të thellë për atë komb dhe të gjithë rajonin Sahel.

“Çdo ndërhyrje ushtarake në Niger rrezikon ta çojë këtë vend dhe të gjithë rajonin në paqëndrueshmëri më të thellë. Shpresojmë që Nigeri, i cili ka kaluar kohë të trazuara kohët e fundit, të arrijë një rend kushtetues dhe një qeverisje demokratike sa më parë”, tha Erdoğan.

Nigeri është kapluar nga trazirat që nga 26 korriku kur gjenerali Abdourahamane Tchiani, një ish-komandant i gardës presidenciale, udhëhoqi një ndërhyrje ushtarake që rrëzoi presidentin Mohamed Bazoum.

Vrulli kundër pranisë franceze në vend provokoi një grindje me Parisin.

Për Karabakun nuk është i pranueshëm asnjë status tjetër përveç territor i Azerbajxhanit

Në fjalën e tij para liderëve botërorë, Erdoğan gjithashtu tha se Karabaku është territor i Azerbajxhanit.

“Ne kemi mbështetur procesin e negociatave midis Azerbajxhanit dhe Armenisë që nga fillimi. Megjithatë, ne shohim se Armenia nuk e ka shfrytëzuar plotësisht këtë mundësi historike”, tha Erdoğan.

Ai shprehu pritjet e Turqisë që Armenia të përmbushë angazhimet e saj, veçanërisht ato që lidhen me hapjen e korridorit Zangezur, një rrugë kryesore e planifikuar përmes territorit armen që lidh Azerbajxhanin me enklavën e saj Nakhchivan.

“Siç e pranojnë të gjithë tani, Karabaku është territor i Azerbajxhanit. Imponimi i çdo statusi tjetër nuk do të pranohet kurrë”, theksoi Erdoğan, duke shtuar se qëllimi kryesor në territorin e Azerbajxhanit tani duhet të jetë bashkëjetesa paqësore për të gjithë, duke përfshirë armenët.

Ai gjithashtu theksoi se Turqia mbështet hapat e Azerbajxhanit për të ruajtur integritetin territorial të tij.

Sot, Azerbajxhani nisi “masat kundër terrorizmit” në rajonin e Karabakut për të mbështetur dispozitat e përshkruara në marrëveshjen e paqes trepalëshe të nëntorit të vitit 2020 që nënshkroi me Rusinë dhe Armeninë.

Marrëdhëniet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Karabakun, një territor i njohur si pjesë e Azerbajxhanit në nivel ndërkombëtar.

Në vjeshtën e vitit 2020, Azerbajxhani çliroi disa qytete, fshatra dhe vendbanime nga pushtimi armen gjatë 44 ditëve të përleshjeve. Lufta përfundoi me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia.

Megjithatë, tensionet midis dy vendeve vazhdojnë pavarësisht bisedimeve në vazhdim mbi një marrëveshje afatgjate të paqes.

Related posts

Presidentja greke: Qëndrimi ynë për Kosovën mbetet i pandryshuar

admin

Rusia përsërit kushtet për negociatat e paqes me Ukrainën

admin

Bashkim Jashari merr pjesë në programin e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes

rezart morina