I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të premten se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi këtë javë, është për të mbështetur përpjekjet e Bashkimit Evropian në gjetjen e zgjidhjes mes Kosovës dhe Serbisë për targat e makinave dhe dokumentet serbe.
Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Ambasadën amerikane në Beograd. Escobar ka thënë se dëshiron që të dyja palët të zotohen se nuk do të ketë dhunë.
“Dialogu nuk është klinikisht i vdekur, unë nuk jam pjesë e dialogut, Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e dialogut, por ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Shpresoj që deri në fund të muajit ne do të gjejmë rrugë për të vazhduar. Në të njëjtën kohë, dialogu do të vazhdojë. Të gjitha marrëveshjet do të duhet të zbatohen, përfshirë formimin e Asociacionit”, ka thënë ai.
“Ne u kemi thënë liderëve të Kosovës dhe Serbisë se ne presim që çështja e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve ekzistuese të jetë në agjendën e takimit të radhës, ne nuk presim që të arrihet marrëveshje atëherë, mirëpo natyrisht që presim të jetë në agjendë”.
Përgjatë konferencës, Escobar ka thënë se shpreson që më 1 shtator, të mos ngarkohet jetesa e banorëve në veri të Kosovës dhe ata të jetojnë në paqe. “Shpresoj se ata nuk do të kenë nevojë për procedura administrative shtesë për të shkuar në shtëpitë e tyre. Besoj se do të mund të arrijmë këtë gjë”.
Sa u përket bisedimeve, ai ka thënë se ato kanë qenë të vështira, mirëpo ka parë “gatishmëri për të gjetur zgjidhje, gatishmëri për të ndërtuar besim përgjatë procesit”.
“Mund t’i them publikut në Serbi që kemi dëgjuar shqetësimet e tyre, në disa raste ka shqetësime serioze për serbët në Kosovë, ka probleme serioz në besim mes dy palëve”. /rel