Nisma Evropiane për Stabilitet (ESI), ka thënë se asnjë nga vëzhguesit e shumtë ndërkombëtarë nuk ka parë “spastrimin etnik të serbëve” në Kosovë apo në “territorin” shqiptar viteve të fundit.
Në një raport me titullin “Pogromet e sajuara – statistikat, gënjeshtrat dhe konfuzioni në Kosovë”, thuhet se asnjë organizatë ndërkombëtare përfshirë ato të sigurisë nuk ka parë prova për pretendimet e Beogradit se në Kosovë ka “spastrim etnik të serbëve”, po mungesa e provave nuk u ka dhënë fund pretendimeve nxitëse.
ESI ka kujtuar se në korrik të vitit 2023 presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se NATO-ja dhe OKB-ja kishin 14 ditë për të çarmatosur forcat policore të Kosovës dhe për të mbrojtur serbët e Kosovës nga “pogromet dhe spastrimi etnik” i vazhdueshëm i shqiptarëve. Përndryshe, “dikush tjetër” do të duhej ta bënte këtë.
“Paralajmërimet se Serbia mund të ketë nevojë të dërgojë trupa në Kosovë për të mbrojtur serbët nuk janë të reja. Në gusht të vitit 2018, kur president i Kosovës ishte Hashim Thaçi, presidenti serb Aleksandar Vuçiq e përshkroi Kosovën si një fuçi baruti: ‘Të gjithë do të presin një mundësi për të goditur tjetrin për të arritur një avantazh në terren. Dhe çdo ditë do të shqetësohemi nëse do të na sulmojnë në veri, ku do të na godasin, me mbështetjen e kujt…’ Mirëpo, në deklaratat e vitit 2018 argumentohej se nëse serbët sulmohen në Kosovë, Serbia do t’i mbrojë ata. Që nga viti 2023, deklaratat argumentojnë se serbët tani janë të sulmuar dhe duhet të mbrohen”, thuhet në raportin prej 18 faqesh në të cilin bëhen krahasime të deklarimeve dhe statistikave të paraqitura nga vet autoritetet serbe.
ESI ka paralajmëruar në fund të korrikut 2023 se ky është një kërcënim serioz për paqen në Ballkan. Disa muaj më vonë, paraushtarakët serbë sulmuan policinë e Kosovës në veri, kujton raporti, sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 të një grupi serbësh të armatosur që vranë një pjesëtarë të policisë së Kosovës.
“Është koha për ta marrë seriozisht atë që po thuhet aktualisht nga politikanët në Beograd. Nëse shpiken pogrome, atëherë pason dhuna. Nëse këto pretendime të rreme nuk kundërshtohen, situata do të përshkallëzohet më tej”, thuhet në raport, në të cilin nënvizohet se “nuk duhet të jetë e vështirë për organizatat ndërkombëtare të hedhin poshtë pretendimet e rreme, mashtruese dhe të rrezikshme për masakrat imagjinare sa herë që ato bëhen. Asnjë nga vëzhguesit e shumtë ndërkombëtarë me personel në terren në Kosovë, nga KFOR-i te EULEX-i, nga UNMIK-u te OSBE-ja, nuk ka parë apo përshkruar ‘spastrimin etnik të serbëve’ apo ‘terrorin’ shqiptar në vitet e fundit. Por, mungesa e provave nuk i ka ndalur pretendimet nxitëse”.
Nisma ka deklaruar se një nga mjetet në këtë betejë të rrëfimeve kanë qenë edhe statistikat. Më 5 tetor 2023, presidenti Vuçiq tha se si pasojë e “terrorit shqiptar”, 11 për qind e serbëve të Kosovës janë larguar nga Kosova që nga fillimi i vitit 2021. Më 8 shkurt të vitit 2024, duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vuçiç e rriti ne “14 për qind” numrin e serbëve të Kosovës që ishin larguar për vetëm një vit.
Por, nuk është ofruar asnjë provë për pogromet e supozuara, dhunën sistematike apo “spastrimin etnik” të supozuar.