RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

EUFOR po “vëzhgon nga afër” situatën e sigurisë në Bosnje

eufor-po-“vezhgon-nga-afer”-situaten-e-sigurise-ne-bosnje

Misioni ushtarak i Bashkimit Evropian në Bosnje e Hercegovinë tha se nuk ka parë asnjë rrezik për situatën e sigurisë në këtë shtet, pavarësisht tensioneve të shkaktuara nga lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, që vazhdimisht kërcënon se entiteti serb do të kërkojë pavarësinë dhe do t’i bashkohet Serbisë fqinje.

Dodik – që është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania nën dyshimet për përpjekje për të destabilizuar shtetin dhe për korrupsion – vazhdimisht ka kërcënuar se do të kërkojë pavarësinë e Republikës Sërpska, nëse Qeveria qendrore e Bosnjës, që është pronare ligjore e aseteve të shtetit, nuk ia bartë pronësinë e aseteve shtetërore entitetit serb.

Më 23 prill, Dodik u zotua se do të kërkojë bashkimin me Serbinë nëse kjo çështje nuk vendoset në favor të Republikës Sërpska dhe paralajmëroi se policia e këtij entiteti do të patrolluojë kufijtë me entitetin tjetër të Bosnjës, Federatës boshnjako-kroate.

Zëdhënësja e misionit të BE-së, Emer Kelly, tha për Radion Evropa e Lirë më 26 prill se Operacioni Althea është duke monitoruar nga afër zhvillimet politike dhe të sigurisë.

“Althea e EUFOR-it ka prezencë në mbarë vendin dhe po kryen patrullime rutinore në mbarë Bosnje e Hercegovinën, në mënyrë që të sigurojë të gjitha komunitetet për prezencën tonë dhe për të rritur gatishmërinë për situatën”, tha Kelly.

Ajo shtoi se misioni po vazhdon të mbështesë në mënyrë proaktive institucionet partnere të Bosnjës për të ofruar mjedis të sigurt në shtet dhe se ata do të vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe të mbajnë kontakte me autoritetet lokale përmes kanaleve zyrtare.

Sipas Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, që i dha fund luftës në Bosnje, u krijua një sistem administrativ, sipas të cilit, Bosnja mbetet e ndarë midis Republikës Sërpska dhe Federatës bosnjako-kroate, që lidhen përmes një qeverie të dobët qendrore.

Dodik po tenton që të ndajë nga Qeveria qendrore ushtrinë, policinë dhe administratën tatimore të entitetit serb, veprime që janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit.

Operacioni Althea, që zyrtarisht njihet me emrin Forca e Bosnje e Hercegovinës e Bashkimit Evropian (EUFOR) u themelua më 2004, pasi paraprakisht në shtet kishin vepruar Forca e Stabilizimit (SFOR), Forca e Zbatimit (IFOR) dhe Forca e Mbrojtjes e Kombeve të Bashkuara (UNPROFOR).

EUFOR është përgjegjës për zbatimin e pjesës ushtarake të Marrëveshjes së Dejtonit dhe për të siguruar paqe. Mandati EUFOR-it, që përfshin edhe përdorimin e forcës, u zgjat për një vit vjeshtën e kaluar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

EUFOR vazhdimisht ka deklaruar se do të përdorë forcën ushtarake “nëse siguria dhe mjedisi i qëndrueshëm rrezikohen seriozisht dhe nëse strukturat aktuale të sigurisë rrezikojnë të shpërbëhen”. /rel

Related posts

24 vite nga bombardimet e NATO-s, Meta: I dha fund përgjakjes së Ballkanit nga kasapi Millosheviç

admin

Mbyllen shkollat në veri

admin

Ush’tarët iz’raelitë arr’estuan 12 pa’lestinezë në Bregun Perëndimor

rezart morina