RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Fatkeqësitë natyrore, komunat kërkojnë Fond Emergjent

fatkeqesite-natyrore,-komunat-kerkojne-fond-emergjent

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë thirrje për formimin e një Fondi Emergjent për Komuna, që do të ishte i dedikuar për fatkeqësitë natyrore.

Ibrahimi për “Ekonomia Online” ka thënë se qytetarët që po preken nga fatkeqësitë natyrore, po duhet të presin me muaj shkaku i “burokracisë së tepruar”.

Ai ka përmendur rastin e komunës së Rahovecit, që u prek nga vërshimet vitin e kaluar.

“Ne si Asociacion edhe më herët kemi kërkuar një Fond Emergjent për komuna. Kur kemi dukuri të tilla, institucionet e Republikës së Kosovës, edhe autoritetet lokale e jo vetëm institucionet qendrore, t’u dalin në ndihmë qytetarëve të komunave përkatëse sa më shpejt. Me këtë burokraci e cila është e paraparë me legjislacionin në fuqi, qytetarët e prekur nga vërshimet e muajit janar të këtij viti, ende nuk kanë marrë ndonjë propozim nga niveli qendror dhe kjo është për të ardhur keq. Në bazë të informatave që kemi, në bazë të komunikimeve ditore që kemi me kryetarët, del që bujqit nuk janë kompensuar për dëmet e shkaktuara nga reshjet e vitit të kaluar, në veçanti në komunën e Rahovecit, ku kryetari Smajl Latifi e ka ngritur këtë shqetësim”, tha Ibrahimi.

Ibrahimi ka thënë se duhet ndryshuar politika shtetërore e të eliminohen burokracisë.

Ai tha se edhe legjislacioni, që përcakton veprimet në raste të emergjencave, duhet të ndryshohet.

“E dyta është amandamentimi i legjislacionit i cili po krijon këso lloj burokracie që dora e shtetit të mos ndihet te qytetari. Komunat nuk kanë kapacitet financiare që të mbulojnë dëmet e shkaktuara nga vërshimet apo nga fenomenet natyrore, sepse kjo përkrahje është e centralizuar, pra niveli qendror e ka këtë të drejtë. Komunat në bazë të legjislacionit në fuqi e kanë obligim ligjor që vetëm t’i mbajnë shënime sa i përket dëmeve të shkaktuara në ekonomi familjare, në bujqësi, në infrastrukturë dhe pastaj të procedojnë për nivel qendror. Faji nuk është i nivelit lokal assesi, është i nivelit qendror i cili për shkak të burokracive ligjore nuk po ka mundësi t’i kompensojë dëmet materiale të shkaktuara nga reshjet e muajit janar dhe gjithashtu të vitit të kaluar për bujqit e paramendoni tash për fatkeqësinë që ndodhi në Pejë”, tha Ibrahimi.

E Tahir Ahmeti, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), ka dhënë disa rekomandime për qytetarët e institucionet se si duhet përgatitur në rast të fatkeqësive.

Në vërshimet e javës së kaluar në Pejë vdiq një nënë dhe i biri i saj 5-vjeçar.

“Institucionet nuk mund t’i parashikojnë vërshimet, mirëpo ato mund të punojnë që kur kemi shira më të dendur, të pastrohen përroskat, lumenjtë. Nëpër vendet urbane të pastrohen pusetat apo ujëmbledhësit, që në të shumtën e rasteve janë të mbyllura. Qytetarët të vetëdijesohen qoftë me fushata vetëdijesuese apo ndëshkuese, që të mos hedhin mbeturina në lumenj apo përroska, sepse ato po mbyllen dhe uji po del nga shtrati dhe po verdhohet. Përveç dëmeve që po shkaktohen, po rrezikohet edhe jeta e qytetarëve”, tha Ahmeti. “Siç po shihet ata janë pak të informuar me fatkeqësi natyrore, duhet një informim më i gjerë shoqëror qoftë për vërshimet, qoftë për tërmetet, qoftë për zjarret e ndryshme, që ata të dinë edhe për rreziqet, por edhe për ndonjë masë mbrojtëse. Qytetarët duhet ta dinë që kur Instituti Meteorologjik paralajmëron që mund të kemi të reshura më të mëdha, mund të kemi edhe vërshime”.

Related posts

Pakistan, muslimanët vazhdojnë traditën e takimit për iftar në Xhaminë Faisal

rezart morina

COVID-19 – ”Financial Times”: 248 milionë kinezë ka të ngjarë të jenë të infektuar

admin

Popullsia e Japonisë shënon rënie rekord në vitin 2022

rezart morina