Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI) tha se po heton tentativën për vrasjen e ish-presidentit Donald Trump gjatë një tubimi në Pensilvani si një “akt të mundshëm të terrorizmit vendas”, teksa vuri në dukje se sulmuesi kishte vepruar i vetëm, transmeton Anadolu.
“Në këtë pikë të hetimit, duket se ai ishte një aktor i vetëm, por ne kemi ende më shumë hetime për të bërë”, u tha gazetarëve Robert Wells, ndihmësdrejtori ekzekutiv i Degës së Sigurisë Kombëtare të FBI-së, duke iu referuar të dyshuarit i cili u identifikua si Thomas Matthew Crooks, një 20-vjeçar nga Pensilvania.
“Ne po e hetojmë këtë si një tentativë për vrasje, por gjithashtu e shohim si një akt të mundshëm terrorizmi vendas”, theksoi ai, duke shtuar: “Pra, divizioni ynë kundër terrorizmit dhe divizionet tona kriminale po punojnë së bashku për të përcaktuar motivin”.
Agjenti special i FBI-së, Kevin Rojek tha se arma e përdorur në atentatin ishte një “pushkë 556 e stilit AR”, e cila ishte blerë legalisht.
Crooks u qëllua për vdekje nga një agjent i Shërbimit Sekret pasi ai hapi zjarr nga ajo që sipas agjencisë ishte një pozicion i ngritur jashtë fushës ku Trump po iu drejtohej mbështetësve të tij përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Autoritetet ende nuk e kanë përcaktuar motivin e të shtënave.
Presidenti Joe Biden tha se i udhëzoi zyrtarët që të sigurojnë që hetimi të jetë “i plotë dhe i shpejtë” dhe se hetuesit “kanë çdo burim që u nevojitet për ta bërë këtë”.