Një hetim ka zbuluar se dhjetëra fëmijë të lindur pranë një baze ushtarake britanike në Kenia kanë arritur të identifikojnë baballarët e tyre përmes testimeve të ADN-së dhe proceseve ligjore. Shumë prej tyre janë rritur në varfëri dhe pa përgjigje për origjinën e tyre. Tani, disa raste të konfirmuara po hapin rrugën për mbështetje financiare dhe të drejta ligjore.
“Edward”, një djalë nëntëvjeçar nga Kenia, e ka ditur gjithmonë se babai i tij kishte punuar për ushtrinë britanike. Ngjyra e lëkurës së tij, më e çelët se ajo e bashkëmoshatarëve, ka bërë që ai të përballet me bullizëm për vite me radhë. Babai i tij u zhduk para se Edward (emri i së cilit nuk është i vërtetë) të lindte, duke lënë nënën e tij në varfëri të skajshme dhe të përjashtuar nga disa pjesëtarë të familjes.
Tani, ky burrë, i cili kishte punuar si kontraktor në një bazë ushtarake britanike në Kenia dhe 19 të tjerë që kanë shërbyer si ushtarë atje, janë identifikuar si baballarë të fëmijëve të lindur pranë bazës, falë një procesi të ri dhe të rëndësishëm që përfshin analizën e ADN-së dhe procedura ligjore.
Deri tani, atësia është konfirmuar ligjërisht në 12 raste nga gjykatësi më i lartë i Gjykatës Familjare në Mbretërinë e Bashkuar, siç zbulon një hetim i BBC World Service.
Ky proces u jep përgjigje fëmijëve që nuk e dinin se nga vinin, madje në disa raste as kush ishin baballarët e tyre – ose kishin besuar se ata kishin vdekur. Të gjithë këta fëmijë kanë kërkuar të kuptojnë origjinën e tyre dhe janë përballur me vështirësi ekonomike. Shumica e 12 rasteve të konfirmuara tani kanë të drejtë të aplikojnë për shtetësi britanike. Ata që janë nën 18 vjeç ose që janë ende në arsim do të kenë të drejtë edhe për mbështetje financiare si fëmijë.
Avokati britanik James Netto dhe avokati Kelvin Kubai, i cili punon në terren në Kenia për të gjetur klientë, thonë se ekzistojnë rreth 100 raste të dokumentuara të fëmijëve të lindur pranë Njësisë së Trajnimit të Ushtrisë Britanike në Kenia (Batuk), nga ushtarë britanikë. Netto beson se numri i vërtetë mund të jetë edhe më i madh.
Kjo bazë, e themeluar në vitin 1964 dhe ku çdo vit kalojnë më shumë se 5.000 ushtarë britanikë, ka qenë shpesh në qendër të polemikave gjatë kohës që ka operuar në Nanyuki, qytet tregtar rreth 185 km në veri të Nairobisë.
Zbulim që mund ta ndryshojë jetën
Një hetim dyvjeçar i parlamentit kenian, i publikuar dhjetorin e kaluar, akuzoi ushtarët britanikë se vepronin në një “kulturë pandëshkueshmërie” në këtë bazë. Sipas raportit, kjo ka çuar në abuzime seksuale, dyshime për vrasje, shkelje të të drejtave të njeriut, dëmtime të mjedisit dhe braktisjen e fëmijëve lokalë.
Ministria britanike e Mbrojtjes u përgjigj duke thënë se “shpreh keqardhje të thellë për problemet dhe sfidat që kanë lindur në lidhje me praninë ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar në Kenia… dhe se po ndërmerr masa për t’i adresuar ato kurdo që është e mundur”.
James Netto u informua për herë të parë për këtë çështje në vitin 2024, kur mësoi për fëmijët në Nanyuki që kërkonin baballarët e tyre. Ai bashkëpunoi me profesoreshën e njohur të gjenetikës, Denise Syndercombe Court, dhe së bashku shkuan në Kenia “me një valixhe plot me teste ADN-je”.
Ata më pas krahasuan mostrat e ADN-së që mblodhën me profilet gjenetike të disponueshme në databaza komerciale të gjenealogjisë, për të gjetur baballarët britanikë që mungonin. Klientët e tyre ishin nga mosha tre deri në 70 vjeç.
“Një gjë e tillë nuk është bërë kurrë më parë në këtë shkallë, duke përdorur testimin e ADN-së në gjykatat e Mbretërisë së Bashkuar”, thotë Netto. Ai shton se kishin një bazë shumë të madhe të dhënash për krahasim. Deri vitin e kaluar, kishte pothuajse 30 milionë profile në Ancestry.com, faqja më e madhe komerciale për ADN, të cilën e përdori edhe profesoresha Syndercombe Court si burimin kryesor.
Netto thotë se nuk e dinin sa rezultate do të merrnin dhe u habitën nga suksesi i madh. “Gjetëm edhe të afërm shumë të largët, edhe të afërm më të afërt, deri te rastet kur arritëm të identifikonim drejtpërdrejt baballarët”.
Ky zbulim i rëndësishëm mund të ndryshojë jetën e Edwardit dhe nënës së tij, Nasibos, pasi tani ai do të ketë të drejtë për mbështetje financiare nga babai.
“Dikur mendoja se ishin zotërinj”, thotë Nasibo për ushtarët britanikë. Ajo besonte se babai i Edwardit e donte dhe kujdesej vërtet për të. BBC ka parë një letër që nëna e ushtarit ia kishte shkruar Nasibos, para se ajo të mbetej shtatzënë, ku e falënderonte që e bënte djalin e saj kaq të lumtur. Kur Nasibo i tregoi se ishte shtatzënë, ajo thotë se ai u gëzua shumë. Madje, sipas saj, ai i kërkoi që nëse fëmija do të ishte djalë, ta emërtonte sipas vëllait të tij, dhe u kthye nga një udhëtim në Mbretërinë e Bashkuar me një unazë fejese.
Por kur Nasibo ishte katërmuajshe shtatzënë, ajo thotë se ai i tha se duhej të kthehej urgjentisht në Britani dhe më pas ndërpreu çdo kontakt.
Sipas saj, disa të afërm e detyruan të largohej nga shtëpia familjare, ndërsa djali i saj u përball me bullizëm në shkollë për shkak të ngjyrës më të çelët të lëkurës.
“Ata e quajnë ‘kolonizatori britanik’”, tha ajo. (Britania e Madhe e ka sunduar Kenian nga viti 1895 deri në 1963.)
Avokati James Netto arriti të gjejë babanë e Edwardit pasi gjykata urdhëroi Ministrinë e Mbrojtjes, Departamentin për Punë dhe Pensione dhe autoritetin tatimor britanik të ndanin emrin dhe adresën e tij. Burri i ka kërkuar avokatit të mos ndajë të dhënat e kontaktit me Nasibon ose djalin e tyre, por tashmë ka nisur një proces gjyqësor për ta detyruar atë të paguajë detyrimet financiare për fëmijën.
Përballja me të vërtetën
Një tjetër rast është ai i Yvonnes, një 18-vjeçare nga Kenia, e cila dinte edhe më pak për babanë e saj sesa Edwardi. Ajo kishte dëgjuar vetëm se ai kishte shërbyer në ushtrinë britanike, por nuk e dinte as emrin e tij dhe ishte rritur duke besuar se ai kishte vdekur. Nëna e saj vdiq kur ajo ishte foshnjë, dhe thuhet se ushtarët në bazën Batuk u kishin thënë gjyshërve të saj se babai i saj kishte vdekur.
Projekti ligjor zbuloi – përmes një përputhjeje ADN-je me kushërirën e nënës së burrit, e cila kishte ngarkuar të dhënat e saj në Ancestry.com – se babai i saj në fakt është gjallë dhe jeton në Mbretërinë e Bashkuar.
Pasi kishte shkelur pesë urdhra gjykate, ai më në fund u paraqit në ditën e shqyrtimit të çështjes. Ai kërkoi një test ADN-je për të konfirmuar nëse ishte babai i Yvonnes, dhe rezultati, një javë më vonë, vërtetoi se po.
Për momentin, ai nuk dëshiron të ketë kontakt me Yvonnen. Megjithatë, kushërira e nënës së tij ka shprehur dëshirë ta takojë atë.
Jo të gjithë baballarët e identifikuar kanë refuzuar të përfshihen.
Phill, një ish-ushtar britanik që ka shërbyer në Nanyuki në vitin 2004, thotë se po kënaqet duke njohur vajzën e tij 20-vjeçare, Cathy. Ai kishte propozuar më parë për martesë me nënën e saj, Maggie, dhe kishte kaluar kohë me vajzën gjatë muajve të parë pas lindjes. Por kur u transferua në një mision tjetër, ai thotë se iu vodh telefoni dhe humbi kontaktet e tyre.
Maggie mendoi se ishte më e lehtë t’i thoshte Cathyt se babai i saj kishte vdekur. Por kur ajo u rrit, zbuloi se ai ishte gjallë dhe u përpoq ta kontaktonte në Facebook. Ai thotë se i kishte bllokuar mesazhet, pa e kuptuar kush ishte ajo.
Në atë kohë, ai kishte lënë ushtrinë dhe për një periudhë kishte qenë i pastrehë, duke u përballur edhe me probleme të shëndetit mendor. “Kalimi në jetën civile nuk ishte i lehtë”, thotë ai.
Edhe Cathy po kalonte një periudhë të vështirë, që përfundoi me një tentativë për vetëvrasje.
“Gjatë rritjes, ndjeja se më mungonte shumë figura e babait, sepse kishte gjëra që mamaja ime nuk mund t’i kuptonte, për shkak të racës dhe të tjera. Kjo më bënte të ndihesha shumë e vetmuar. Ka një pjesë tënden që nuk e njeh fare. Është si një mister për ty”, ka thënë ajo.
Tani që atësia e tij është konfirmuar në gjykatat britanike, Phill thotë se është i lumtur që u gjet, duke e përshkruar si një “befasi shumë të bukur”.
Ai thotë se është në kontakt me Cathyn dhe tashmë po i jep asaj dhe Maggiet një mbështetje financiare.
“I thashë Cathyt… pavarësisht se çfarë bëj, nuk mund ta kompensoj kohën që kam humbur me të. Por mund të përpiqem të bëj më të mirën”.
Cathy tani shpreson të vizitojë Mbretërinë e Bashkuar.
Netto thotë se, sipas dijenisë së tij, Phill është deri tani i vetmi baba nga këto raste që po dërgon para për fëmijën e tij.
Avokati kenian Kelvin Kubai, i cili ka krijuar një organizatë bamirëse të quajtur “Connecting Roots Kenya” për të ndihmuar financiarisht fëmijët e ushtarëve britanikë, u pyet nëse duhet të ndalohet plotësisht një marrëdhënie e tillë, duke pasur parasysh numrin e madh të fëmijëve të lindur jashtë martese. Ai nuk ishte dakord.
“Kjo do të ishte shumë raciste, sepse do të thoshte t’u kërkosh kryesisht ushtarëve të bardhë të shmangin gratë zezake vetëm sepse kjo mund t’u sjellë probleme. Zgjidhja e vetme e arsyeshme është që këta burra të mbahen përgjegjës kur bëhen prindër gjatë kohës së tyre në Kenia”.
Netto dhe Kubai thonë se puna e tyre po vazhdon dhe se më shumë raste do të paraqiten në Gjykatën e Lartë në muajt e ardhshëm.
Ministria britanike e Mbrojtjes deklaroi para publikimit të këtij raporti: “Kur nuk ka akuza penale për veprimtari të paligjshme nga personeli ushtarak britanik dhe nuk janë ngritur shqetësime konkrete nga policia lokale, atëherë Ministria nuk ndërmerr hetime. Disa nga pretendimet për atësinë mund të lidhen me marrëdhënie me pëlqim të ndërsjellë, të cilat nuk janë në kundërshtim me politikat tona”.
Brigadieri Simon Ridgway, komandant i grupit që merret me trajnimin e ushtrisë britanike, shtoi se personat e prekur nga çështjet e atësisë duhet të kontaktojnë shërbimet kombëtare për fëmijët në Kenia. “Më pas ato bashkëpunojnë me Mbretërinë e Bashkuar dhe ne ofrojmë mbështetje për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për të trajtuar këto çështje sipas rastit”.
Pas publikimit të BBC-së Ministria e Mbrojtjes (MoD) nxori një deklaratë shtesë ku shprehu se është “thellësisht e shqetësuar nga akuzat për fëmijë të lënë pa mbështetjen e duhur”.
“Ata pjesëtarë të ushtrisë që konstatohet se kanë dështuar në përgjegjësitë e tyre pritet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre,” shtoi deklarata. “Shfrytëzimi seksual ose braktisja e detyrimeve prindërore janë të papranueshme”.
Ndërkohë, hetimi parlamentar kenian i publikuar në dhjetor i bëri thirrje qeverisë në Nairobi që të vendosë mekanizma të rinj “për të mbajtur përgjegjës ushtarët për mbështetjen financiare ndaj fëmijëve të lindur nga marrëdhëniet të cilat krijohen me pëlqimin e dy palëve, përfshirë testimin e ADN-së dhe ofrimin e mbështetjes psikosociale për këta fëmijë”.
Përktheu: Blerta Haxhiu/Koha.net

