Viti i Ri 2023 është pritur me muzikë, argëtim dhe fishekzjarre në mesnatë në sheshet e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Me një pamje spektakolare me ndezjen e fishekzjarreve që krijuan drita shumëngjyrëshe mijëra qytetarë të tubuar në sheshe dhe rrugët e qyteteve pritën Vitin e Ri.
– Maqedoni e Veriut
Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, një numër i madh qytetarësh e pritën Vitin e Ri në sheshin “Maqedonia”, ku u argëtuan nga grupe të ndryshme muzikore nga vendi.
Në koncert performuan muzikantë dhe grupe të shumta nga vendi, veçanërisht Elena Risteska.
Një pjesë e qytetarëve e pritën Vitin e Ri në një atmosferë shtëpiake, në rrethin e familjes.
– Shqipëri
Nata e ndërrimit të viteve në Shqipëri është pritur me evente dhe aktivitete të ndryshme, ndërkohë në Tiranë është organizuar spektakli tradicional i fishekzjarrëve dhe koncert.
Me rastin e Vitit të Ri 2023, nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës janë organizuar evente të ndryshme në kryeqytetin e Shqipërisë.
Në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë është organizuar shfaqja tradicionale e fishekzjarrëve, duke u krijuar një atmosferë festive, ndërkohë edhe qytetarët iu janë bashkuar ndezjes së fishekzjarrëve.
Në Tiranë gjithashtu është organizuar edhe një koncert me pjesëmarrjen e këngëtarëve shqiptarë.
– Kosovë
Qytetarët e Prishtinës e kanë pritur Vitin e Ri 2023 me një shfaqje të madhe me fishekzjarre disa-minutëshe dhe një organizim në ambient të hapur në qendër.
Viti i Ri në Kosovë tradicionalisht pritet në rrethin e ngushtë familjarë dhe miqve, ndërsa Komuna e Prishtinës organizoi një koncert muzikor për ata që i duan festimet në ambient të hapur.
Disa mijëra qytetarë, kryesisht të rinj, kanë festuar me yjet e muzikës kosovare Kida, Lumi B dhe Jericho, të cilët ishin interpretues në koncertin pranë Katedrales Katolike në rrugën “Xhorxh Bush”, pjesë e cila u bë shesh dhe u ndalua për qarkullim të automjeteve së fundi, për shkak të festës.
Organizuar po ashtu nga komuna, gjatë ditës në të njëjtën skenë u mbajt edhe program për fëmijë.