RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Fidan: Diskutimet për Gazën në Miami janë shpresëdhënëse, po diskutohen parametrat e fazës së dytë të armëpushimit

fidan:-diskutimet-per-gazen-ne-miami-jane-shpresedhenese,-po-diskutohen-parametrat-e-fazes-se-dyte-te-armepushimit

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, deklaroi se diskutimet dhe marrëveshjet e arritura gjatë bisedimeve për Gazën të mbajtura në Miami janë shpresëdhënëse, duke theksuar se palët po zhvillojnë diskutime për kalimin në fazën e dytë të planit të paqes për Gazën, raporton Anadolu.

Bisedimet u zhvilluan me pjesëmarrjen e SHBA-së, Turqisë, Egjiptit dhe Katarit, ndërsa pala turke u përfaqësua nga ministri Fidan. Duke folur për gazetarët pas bisedimeve, Fidan tha se përfundimi i fazës së parë ka hapur rrugën për diskutimin e parametrave të fazës së dytë.

“Shkeljet e vazhdueshme të armëpushimit nga Izraeli e vështirësojnë ndjeshëm procesin. Të gjitha palët janë të një mendimi për këtë çështje”, theksoi Fidan.

Sa i përket të ardhmes së Gazës, Fidan theksoi se është paraqitur një punim paraprak për rindërtimin e Gazës, mbi të cilin është zhvilluar diskutim fillestar.

“Gaza duhet të qeveriset nga banorët e Gazës. Territori i saj nuk duhet të ndahet në asnjë mënyrë. Çdo gjë që bëhet në Gaza duhet të bëhet për banorët e Gazës”, nënvizoi kryediplomati turk.

Ministri turk bëri të ditur se është diskutuar edhe kalendari i mundshëm për transferimin e administrimit të Gazës te një komitet teknokratësh, si dhe çështja e Bordit të Paqes, për të cilin po zhvillohen diskutime paralele lidhur me mënyrën e zbatimit.

Fidan tha se gjatë takimeve u diskutua edhe koncepti i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, duke theksuar se palët patën mundësinë të paraqesin perspektivat e tyre dhe të dëgjojnë qasje të ndryshme.

Ai e cilësoi takimin në Miami si takimin më të rëndësishëm në nivel të lartë pas atij në Sharm el-Sheikh të Egjiptit.

Duke folur për situatën humanitare, Fidan theksoi se ndihmat humanitare janë jashtëzakonisht të rëndësishme, duke kujtuar se edhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është shumë i ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje, veçanërisht në kushtet kur po afrohet dimri.

Related posts

Rohde: Lajm vërtetë i mirë marrëveshja për dokumente, më shumë nga këto ju lutem

admin

Turqia dhe Egjipti rrisin marrëdhëniet diplomatike në nivel të ambasadave

admin

Policia jep detaje për aksidentin në Çagllavicë ku vdiq 35-vjeçari

admin