RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Finlanda dhe Estonia i kërkojnë BE-së që të ndalojë dhënien e vizave turistike për rusët

finlanda-dhe-estonia-i-kerkojne-be-se-qe-te-ndaloje-dhenien-e-vizave-turistike-per-ruset

Kryeministret e Estonisë dhe të Finlandës i kanë bërë thirrje BE-së që të ndalojë lëshimin e vizave turistike për rusët, në një përpjekje për të filluar me një front të ri sanksionesh pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska.

Finlanda – e cila, ashtu si Estonia, Letonia dhe Lituania, kufizohet me Rusinë perëndimore – ka vërejtur një rritje të numrit të turistëve rusë që hyjnë në këtë vend, shpesh me viza nga vendet e tjera të BE-së, dhe që më pas përdorin aeroportet e Finlandës për të fluturuar drejt shteteve të tjera të bllokut duke shfrytëzuar mundësitë e zonës së lirë Shengen.

Kjo ҫështje është ngritur edhe te krerët e BE-së dhe do të diskutohet zyrtarisht në samitin e radhës, të planifikuar për në tetor.

“Mos jepni më viza turistike për rusët”, shkroi në Twitter të martën Kaja Kallas, kryeministrja e Estonisë. “Të vizitosh Europën është një privilegj, jo një e drejtë njerëzore. Udhëtimet ajrore nga Rusia janë pezulluar. Kjo do të thotë që, teksa vendet e Shengenit japin viza, fqinjët e Rusisë do të duhet të mbajnë të gjithë barrën (Finlanda, Estonia, Letonia, si pikat e vetme të hyrjes).”

Sanna Marin, kryeministrja e Finlandës, tha për televizionin shtetëror Yle: “Nuk është e drejtë që, në një kohë kur Rusia po zhvillon një luftë agresive, një luftë brutale në Europë, rusët të mund të vazhdojnë jetën e tyre normale, të udhëtojnë nëpër Europë, të jenë turistë. Nuk është e drejtë.”

Disa vende europiane janë duke kërkuar mënyrat e duhura për të kufizuar udhëtimet e turistëve rusë, ndërkohë që përpiqen t’i mbajnë kufijtë e tyre të hapur brenda regjimit të vizave Shengen, i cili funksionon pa kontrolle të pasaportave në pjesën më të madhe të kontinentit.

Por, dias shtete të tjera anëtare nuk po tregohen aq të gatshme për të kufizuar lëvzijen e të gjithë qytetarëve rusë.

“Ne nuk duhet të ndalojmë plotësisht të gjithë rusët që duan të udhëtojnë në BE. Si mund ta ndërmarrim këtë angazhim?” tha një zyrtar i BE-së. “Rusët që nuk e mbështesin luftën duhet të jenë në gjendje të udhëtojnë.”

Kremlini tha se këto thirrje tregonin “mendimin irracional, përtej ҫdo kufiri të pranueshëm” dhe i krahasoi ato në mënyrë indirekte me Gjermaninë naziste. “Shumë nga këto vende janë kaq armiqësore ndaj nesh, saqë kjo po i bën ata delirantë”, tha për gazetarët të martën Dmitry Peskov, zëdhënësi i Presidentit Vladimir Putin.

“Ato po i ngjasojnë sjelljes që kemi parë 80 vjet më parë, nga disa vende në zemër të Europës,” tha Peskov, sipas Interfax.

“Mendoj se arsyetimi i shëndoshë do të mbizotërojë në fund dhe njerëzit që i bënë këto deklarata do të vijnë në vete,” shtoi ai.

Letonia ndaloi dhënien e vizave për pothuajse të gjithë qytetarët rusë në fillim të gushtit. Por, autoritetet finlandeze besojnë se atyre mund t’u mungojë baza ligjore për të aplikuar një ndalim të tillë, kështu që po shikojnë mënyrat e mundshme për të kufizuar vizat për rusët, ndërkohë që nga ana tjetër po kërkojnë një zgjidhje nga BE-ja.

“A është legjislacioni finlandez aq i përditësuar saqë ne të mund të vendosim sanksionet tona kombëtare në një situatë kaq të jashtëzakonshme? Personalisht, unë do të doja të shihja një zgjidhje nga e gjithë Europa edhe për këtë çështje”, tha Marin për Yle.

“BE ka pezulluar pjesërisht Marrëveshjen për Lehtësimin e Vizave me Rusinë. Ky pezullim ka në shënjestër njerëzit që janë afër me regjimin rus. Ai nuk prek qytetarët e zakonshëm rusë, tani për tani,” tha Anitta Hipper, zëdhënësja e Komisionit Europian për çështjet e brendshme, migracionin dhe sigurinë.

“Shtetet anëtare kanë liri veprimi të konsiderueshme për reduktuar ose për të ndaluar dhënien e vizave afatgjata dhe të lejeve të qëndrimit, sipas ligjeve të tyre kombëtare,” tha Hipper në një deklaratë. “Gjithmonë do të ketë kategori njerëzish për të cilët duhet të jepen viza”, shtoi ajo, duke përmendur “rastet humanitare, për anëtarët e familjes, për gazetarët apo disidentët”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha për Washington Post të hënën se shtetet perëndimore duhet të mbyllin kufijtë e tyre ndaj rusëve “sepse rusët po marrin tokën e dikujt tjetër”.

Peskov tha se përpjekjet për të izoluar Rusinë nuk kishin “perspektivë”, duke shtuar se vendet europiane shumë shpejt do të lodhen nga mbështetja e tyre për Ukrainën, në kushtet e çmimeve të larta të energjisë.

“Zelenskyy duhet të kuptojë se vendet europiane që po përpiqen të ndëshkojnë Rusinë, po paguajnë faturën për këtë”, tha ai. “Herët a vonë, këto vende do të fillojnë të pyesin veten nëse Zelenskyy po bën gjithçka ashtu siç duhet dhe pse qytetarët e këtyre vendeve do të duhet të paguajnë për tekat e tij”.

Ministria e Jashtme e Finlandës ka thënë se disa rusë po përdorin vendin nordik për të fluturuar drejt destinacioneve të tjera në Europë. Yle raportoi se kompanitë ruse po ofronin udhëtime me makinë nga Shën Petersburg deri në aeroportet e Helsinkit dhe të Lappeenranta në Finlandë. BE-ja ka ndaluar udhëtimet ajrore nga Rusia, por rusët janë ende në gjendje të fluturojnë brenda bllokut të BE-së.

Një mundësi drastike për të ndaluar hyrjen e rusëve në bllok është mbyllja e kufirit. Lauri Läänemets, ministri i brendshëm i Estonisë, tha dy javë më parë se një lëvizje e tillë nuk do të ishte një ide e mirë, pasi “problemi është se disa njerëz, duke përfshirë qytetarët estonezë, duhet të jenë në gjendje të kalojnë kufirin dhe, gjithashtu, është duke vijuar tregtia në disa përmasa të caktuara”. /ft/monitor

Related posts

Kryeministria reagon pas ndalimit të Sinanit nga policia kufitare serbe

admin

Aksident në Klinë, një i vdekur e tre të lënduar

rezart morina

Sot mbahet takimi i ministrave të Jashtëm të NATO-s, flitet edhe për Kosovën

admin