Fiset arabe që gjenden nën presionin e PKK/YPG-së, kanë pastruar 3 fshatra në një operacion kundër organizatës terroriste në lindje të provincës Deir ez-Zor, në Siri, raporton Anadolu.
Sipas informacionit të marrë nga burimet lokale, fiset arabe kanë rifilluar një operacion kundër PKK/YPG-së në pjesën rurale lindore të Deir ez-Zor, ku kanë pastruar nga terroristët fshatrat Ziyben, Tayyane dhe Elragib.
Përleshjet në rajon vazhdojnë.
Pas një pushimi prej rreth 2 javësh, në provincën Deir ez-Zor në lindje të Sirisë, ka pasur sërish përleshje mes fiseve arabe dhe terroristëve të PKK/YPG-së.
PKK/YPG, e cila dërgoi shumë terroristë në rajonin ku po zhvillohen përleshjet, vendosi “orë policore” për fshatrat Sabha, Ebrehiyye, Busayriye, Shahiil, Baghoz dhe Ziyban, ku jetojnë dendur fise arabe, për të parandaluar përhapjen e operacioneve në rajone të tjera. Në këto fshatra edhe 2 javë më parë pati përleshje të forta.
Fiset arabe pastruan 33 fshatra nga terrorizmi në provincat Deir ez-Zor, Raqqa dhe Hasakah dhe Manbij të Halepit në operacionet që ata kryen midis 27 gushtit dhe 13 shtatorit. Megjithatë, arabët u tërhoqën nga këto fshatra dhe u ulën në tryezën e bisedimeve me SHBA-në për të parandaluar viktimat civile si pasojë e sulmeve të organizatës terroriste.
Pushtimi i PKK/YPG në Deir ez-Zor
E gjithë popullsia e Deir ez-Zor-it, të cilën organizata terroriste e pushtoi nën pretekstin e “luftës kundër DEASH”-it me mbështetjen e ushtrisë amerikane, përbëhet nga arabë.
Organizata terroriste rekruton me forcë fëmijë arabë në rajonet e pushtuara.
Organizata, e cila gjeneron të ardhura duke sekuestruar puset në rajon dhe duke ia shitur ato administratës së Damaskut përmes kontrabandistëve, pavarësisht sanksioneve të SHBA-së, i përdor të ardhurat për aktivitetet e veta, ndërsa banorët e rajonit janë të privuar nga shërbimet dhe ndihmat lokale.