Granatimet e artilerisë izraelite goditën të dielën herët katër fshatra në provincën Nabatieh të Libanit jugor, disa ditë pasi Bejruti dhe Tel Avivi përfunduan raundin e shtatë të bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Romë, të synuara për t’i dhënë fund sulmeve izraelite dhe për të siguruar tërheqjen nga territori libanez, transmeton Anadolu.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve (NNA) e Libanit raportoi se zona midis qyteteve Mayfadoun dhe Zawtar al-Sharqiyah u vu nën granatime të ndërprera të artilerisë izraelite.
Granatimet goditën kodrën Ali al-Taher në periferi të Nabatieh al-Fawqas, si dhe periferitë e Zawtarit, Mayfadounit dhe Doha Kfar Rummanit. Nuk kishte menjëherë informacione për viktima.
Ushtria izraelite shkaktoi gjithashtu shpërthim të fuqishëm në qytezën Zawtar al-Sharqiyah.
Ndërkohë, avionë luftarakë fluturuan mbi Luginën e Bekaas dhe Malin Liban, ndërsa dronë u panë mbi periferitë jugore të Bejrutit, sipas korrespondentit të Anadolus.
Presidenti libanez Joseph Aoun raportoi “përparim pozitiv” në negociatat me Izraelin në Romë, të cilat përfunduan të enjten.
Libani dhe Izraeli nënshkruan më 26 qershor një marrëveshje kornizë të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, e cila parashikon tërheqjen graduale të Izraelit nga territori i pushtuar libanez, duke nisur me zona pilot, në këmbim të dislokimit të ushtrisë libaneze dhe çarmatimit të grupeve të armatosura, në një referencë të qartë ndaj Hezbollahut.
Pavarësisht bisedimeve në vijim, Izraeli vazhdon sulmet në Liban, të cilat që nga 2 marsi kanë vrarë 4.333 persona, kanë plagosur 12.250 të tjerë dhe kanë zhvendosur mbi 1 milion njerëz, sipas shifrave zyrtare libaneze.

