RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Forcat izraelite kryejnë inkursion në Kfar Shuba të Libanit jugor, rrethojnë një fermë me barinj

forcat-izraelite-kryejne-inkursion-ne-kfar-shuba-te-libanit-jugor,-rrethojne-nje-ferme-me-barinj

Një forcë e ushtrisë izraelite kreu të premten inkursion në periferi të qytezës Kfar Shuba në jug të Libanit dhe rrethoi një fermë ku ndodheshin disa barinj, ndërsa sulmet izraelite, bombardimet me artileri dhe të shtënat me armë zjarri shënjestruan disa zona në jug, transmeton Anadolu.

Forcat izraelite bastisën zonën Sadana në periferi të Kfar Shubas, në rrethin Hasbaya, dhe rrethuan një fermë në pronësi të familjes së Ghazi Nabaa, ku ndodheshin disa barinj, raportoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA).

Ushtarët izraelitë hapën zjarr pranë fermës, ndërsa disa predha artilerie ranë pranë zonës Sadana, shtoi agjencia.

Në zonën Arqoub të të njëjtit rreth, periferia e Hebbariyehs u vu nën bombardime të herëpashershme me artileri izraelite, të shoqëruara me të shtëna të rënda nga mitralozët dhe lëvizje të automjeteve ushtarake izraelite në zonë.

Në rrethin Nabatieh, një dron izraelit shënjestroi një zonë mes qytezave Kfar Tibnit dhe Nabatieh al-Fawqa, ndërsa bombardimet e herëpashershme me artileri goditën periferinë e Kfar Tibnit.

Artileria izraelite shënjestroi gjithashtu Wadi al-Hujair gjatë natës.

Në rrethin e Tirit, bombardimet izraelite me artileri shënjestruan qytezën Majdal Zoun dhe luginat përreth gjatë natës.

Izraeli ka kryer sulme ndaj Libanit që nga 2 marsi, duke vrarë të paktën 4.386 persona, plagosur 12.407 të tjerë dhe zhvendosur më shumë se një milion persona, sipas autoriteteve libaneze.

Sulmet kanë vazhduar pavarësisht se të dyja vendet nënshkruan më 26 qershor një marrëveshje për “formulën kornizë”, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, e cila parashikon tërheqjen graduale të Izraelit nga territori i pushtuar libanez në këmbim të dislokimit të ushtrisë libaneze dhe çarmatimit të Hezbollahut.

Izraeli pushton zona në jug të Libanit, disa prej të cilave prej dekadash dhe të tjera që nga lufta e viteve 2023-2024, ndërsa forcat izraelite kanë avancuar më shumë se 10 kilometra gjatë ofensivës aktuale.

Izraeli gjithashtu pushton territore palestineze dhe toka në Siri dhe refuzon të tërhiqet prej tyre ose të lejojë krijimin e një shteti të pavarur palestinez, siç përcaktohet në rezolutat përkatëse të OKB-së.

Related posts

I riu që goditi me veturë e shkop 18-vjeçarin, me 9 vepra penale në polici

Muhamet Ramadani

Putin kërkon rritjen e prodhimit të dronëve rusë

admin

Të paktën tre të vrarë në sulmet ajrore ruse në Kharkiv

RTI