Një rast i rëndë ka ndodhur gjatë javës së kaluar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, kur një foshnje e lindur pa shenja jete dyshohet se është futur në rrobalarëse e mbështjellë me çarçafë nga personeli mjekësor.
“Më datë 14 dhjetor ankuesi ose familjarët kanë raportuar në polici se nuk po u lejohet ta shohin trupin e pajetë të foshnjes e cila kishte lindur pa shenja jete, një ditë më parë në mbrëmje. Prokuroria po e heton rastin”, ka thënë zëdhënësi i policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi për Teve1.info.
Rastin e kanë konfirmuar nga Prokuroria Themelore e Pejës dhe Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i kësaj Prokurorie, Shkodran Nikçi i ka thënë portalit Teve1.info se sot Prokurorja e rastit ka pasur një takim konsultativ me prindin e foshnjës.
“Rasti ka ndodhur javën e kaluar. Menjëherë pas informatave në vendin e ngjarjes ka shkuar Prokurori i nga Departamenti i Krimeve të Rënda së bashku me Inspektoratin Shëndetësorë dhe policinë. Rasti është duke u hetuar dhe jemi në pritje të raportit nga Inspektorati Shëndetësorë lidhur me këtë ngjarje. Prokurorja e rastit sot ka pasur një takim konsultativ me prindin e foshnjës për të kuptuar më shumë rreth rastit”, ka thënë Nikçi.
Sipas raportimeve të mediave në vend, pakujdesia e madhe e stafit të Repartit të Gjinekologjisë, ka bërë që në lavatriçën e çarçafëve të futet një foshnje e vdekur. E njëjta u nxor copa-copa nga lavatriçja.