Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot sot i kërkoi Evropës të përballet me ngritjen e së djathtës ekstreme pas fitores zgjedhore të partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD) në shtetin lindor Saksoni-Anhalt, transmeton Anadolu.
“E djathta ekstreme: Le t’i hapim sytë”, tha Barrot në kompaninë amerikane të mediave sociale X.
Ai e përshkroi rezultatin si një “fitore dërmuese zgjedhore” për një “të djathtë ekstreme neonaziste, antievropiane dhe pro-Putinit”, duke thënë se kjo ilustron shkallën dhe forcën e një vale politike që ka përfshirë Evropën për dy dekada.
Barrot akuzoi AfD-në për tradhti të shpirtit evropian, duke përmendur “revizionizmin historik, vendosjen e të huajve në kampe, glorifikimin e ksenofobisë edhe në kurrikulat shkollore dhe vënien e medias në ndjekje”.
“Përgjegjësia jonë e parë është t’i rezistojmë normalizimit të ideve të së djathtës ekstreme”, tha ai duke shtuar se ide të tilla më parë e kanë çuar Evropën “në rrënim dhe turp”.
“Nuk mund të ketë kompromis”, theksoi ai.
Megjithatë, Barrot tha se udhëheqësit politikë duhet të njohin dëshpërimin që nxit mbështetjen për idetë dhe partitë e ekstremit të djathtë, duke treguar rënien sociale, padrejtësinë dhe ndjenjën e shpronësimit.
“Pa një përgjigje ndaj kësaj britme zemërimi të drejtuar nga popujt e Evropës ndaj udhëheqësve politikë, më e keqja është e pashmangshme”, paralajmëroi ai.
Duke iu referuar fillimit të asaj që ai e quajti një debat të madh demokratik në Francë, Barrot tha se ata që refuzojnë “helmin e ekstremizmit” duhet t’i përgjigjen urgjentisht zemërimit publik.
AfD e ekstremit të djathtë fitoi rreth 44 për qind të votave në Saksoni-Anhalt të dielën, duke dyfishuar mbështetjen e saj nga zgjedhjet e mëparshme shtetërore në vitin 2021 dhe duke përfunduar shumë përpara Unionit Kristian Demokrat të kancelarit Friedrich Merz, i cili siguroi rreth 17 për qind.

