Si Riadi manovron midis lidhjeve tregtare dhe aleancave ushtarake
Në hartën gjithnjë e më të ndërlikuar të Lindjes së Mesme, Arabia Saudite po luan njëkohësisht në disa fusha. Ndërsa tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara vazhdojnë dhe rajoni mbetet i ekspozuar ndaj konflikteve të reja, po krijohen edhe struktura të reja bashkëpunimi ekonomik, diplomatik dhe ushtarak.
Dy prej tyre, ilustrojnë më qartë drejtimet e kundërta që po merr rajoni: Marrëveshjet e Abrahamit dhe Pakti i Mekës.
Të parat synojnë të ndërtojnë stabilitet përmes tregtisë, investimeve dhe ndërvarësisë ekonomike; i dyti mbështetet te siguria kolektive dhe ideja se lufta duhet bërë sa më e kushtueshme për çdo agresor.
Marrëveshjet e Abrahamit, të nisura në vitin 2020, hapën procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit, ndërsa më vonë iu bashkuan, në forma të ndryshme, Maroku dhe Sudani. Mungesa më e madhe ka qenë Arabia Saudite.
Në anën tjetër qëndron Pakti i Mekës, i nënshkruar së fundmi nga Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani. Marrëveshja parashikon një sistem mbrojtjeje të ndërsjellë, sipas të cilit një sulm ndaj njërit prej vendeve konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.
Pakti përfshin koordinimin politik dhe ushtarak, stërvitje të përbashkëta dhe bashkëpunim në teknologjitë e reja të mbrojtjes, nga dronët te inteligjenca artificiale dhe siguria kibernetike. Formula kujton nenin 5 të NATO-s, ndonëse angazhimet konkrete dhe mënyra e reagimit në rast agresioni mbeten ende të paqarta.
Për princin e kurorës Mohammed bin Salman, kjo marrëveshje ka një rëndësi të veçantë politike. Arabia Saudite del për herë të parë përtej kufijve tradicionalë të bashkëpunimit të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit dhe lidhet ushtarakisht me Pakistanin, një fuqi bërthamore, si edhe me Turqinë, që zotëron ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s.
Por secili partner ka interesat e veta. Pakistani sjell përvojën dhe kapacitetin e tij ushtarak, ndërsa ka nevojë për mbështetje financiare për shkak të ekonomisë së dobët dhe borxhit të lartë.
Turqia, nga ana tjetër, kërkon të ruajë peshën e saj rajonale në një kohë kur përballet me inflacion, dobësi energjetike dhe vështirësi ekonomike. Në qendër të kësaj loje shumëplanëshe ndodhet Riad.
Arabia Saudite nuk ka hyrë ende në Marrëveshjet e Abrahamit, por nuk e ka mbyllur asnjëherë derën për normalizimin me Izraelin.
Në të njëjtën kohë, ajo mban marrëdhëniet e ngushta me Uashingtonin, dialogon me Kinën, ndërton korridore tregtare me Indinë dhe Emiratet dhe kërkon një rol kyç në projektin IMEC, që synon të lidhë Indinë, Gjirin, Izraelin dhe Evropën.
Mohammed bin Salman po përpiqet kështu të mos lidhet ekskluzivisht me asnjë bosht. Ai mban të hapur marrëdhënien me SHBA-në, ndërsa pret zhvillime në bashkëpunimin bërthamor civil; afrohet me Kinën pa u shkëputur nga Perëndimi; bashkëpunon ekonomikisht me Indinë, por ndërton njëkohësisht aleancë ushtarake me Pakistanin, rivalin e saj historik.
Kjo strategji e lojës në disa fusha i jep Arabisë Saudite hapësirë të madhe manovrimi, por mbart edhe rreziqe. Afrimi me Pakistanin mund të shqetësojë Indinë, e cila është një partnere thelbësore ekonomike për vendet e Gjirit dhe për realizimin e korridorit IMEC.
Përballja mes modelit të Abrahamit dhe atij të Mekës tregon dilemen kryesore të Lindjes së Mesme: stabiliteti mund të ndërtohet ose përmes interesave të përbashkëta ekonomike, ose përmes frikës së përbashkët nga lufta.
Arabia Saudite ka nevojë për të dyja. Projekti ambicioz “Vision 2030”, që synon të diversifikojë ekonominë saudite dhe të ulë varësinë nga nafta, kërkon njëkohësisht siguri rajonale dhe tregje të hapura.
Për këtë arsye, Riadit i leverdis të mos zgjedhë ende mes Abrahamit dhe Mekës, por të përpiqet t’i mbajë të hapura të dyja rrugët. Në fund, suksesi i këtyre marrëveshjeve nuk do të matet nga ceremonitë apo deklaratat solemne, por nga aftësia për të krijuar një të ardhme që të gjitha palët të kenë interes ta mbrojnë, jo ta shkatërrojnë. /tesheshi

