Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë të ditur se pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), janë duke u sfiduar në trajnimin “Taktika me Njësi të Vogla”.
Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Mehaj ka shkruar se objektivi i trajnimit është përgatitja dhe aftësimi i ushtarakëve të FSK-së, për detyra dhe operim me njësi të vogla, si ekip, skuadër dhe togë.
“Në kuadër të angazhimit për ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve operacionale luftarake, Komanda e Forcave Tokësore (KFT) me regjimentet e saj, ka realizuar trajnimin e shkathtësive ushtarake ‘Taktika me Njësi të Vogla’ (TTNJV). Objektivi i trajnimit është përgatitja dhe aftësimi i ushtarakëve për detyra dhe operim me njësi të vogla, si ekip, skuadër, togë, si dhe të gjithë hapat e planifikimit dhe ekzekutimit të operacioneve në terren”, ka shkruar ai.
Tutje, Mehaj ka thënë se FSK-ja është duke vazhduar në përmbushjen e objektivave me fokus realizimin me sukses të ushtrimit ndërkombëtarë “Defender Europe 23”.
“Vazhdojmë me përmbushjen e objektivave tona për të ardhmen me fokus realizimin me sukses të ushtrimit ndërkombëtarë ‘Defender Europe 23’”, thekson ministri Mehaj.