Tre palestinezë u plagosën sot gjatë një bastisjeje ushtarake izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, bënë të ditur mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Forcat izraelite bastisën kampin e refugjatëve Jenin në veri të Bregut Perëndimor, duke shkaktuar përleshje të armatosura me palestinezët, raportoi radioja Palestine Voice.
Tre palestinezë, përfshirë një grua, u plagosën nga zjarri izraelit gjatë përleshjeve dhe u transferuan në spital për ndihmë mjekësore, theksoi transmetuesi.
Nuk ka asnjë prononcim nga ushtria izraelite mbi lajmin.
Ndërkohë, ushtria izraelite ka arrestuar 23 palestinezë në bastisjen në Bregun Perëndimor, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Wafa.
Ushtria izraelite shpesh kryen fushata të gjera arrestimi në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor me pretekstin e kapjes së palestinezëve të “kërkuar”.
Që nga fillimi i vitit, sipas shifrave zyrtare palestineze, forcat izraelite kanë vrarë 94 palestinezë dhe kanë plagosur rreth 7.000 në Bregun Perëndimor.