Ministrja e Jashtme e Gjeorgjisë, Maka Bochorishvili pretendon se Ukraina ka kundërshtuar integrimin evropian të Gjeorgjisë në mënyra të ndryshme, duke akuzuar Kievin se po përpiqet të pengojë rrugën e Tbilisit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, transmeton Anadolu.
Duke folur për mediat lokale, Bochorishvili tha se është “e turpshme” që dikush të fajësojë Gjeorgjinë në lidhje me Ukrainën, duke theksuar se vendi i saj ka treguar mbështetje të vazhdueshme politike për Kievin që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë në shkurt 2022.
“Përfshirja e Ukrainës u demonstrua më shumë se një herë, se ata kundërshtuan integrimin evropian të Gjeorgjisë në mënyra të ndryshme”, tha ajo duke shtuar se fushatat në vitet 2022-2023 synonin të pengonin Gjeorgjinë të merrte statusin e kandidatit për në BE.
“Askush nuk mund të thotë se Gjeorgjia nuk e ka mbështetur Ukrainën në formatet ndërkombëtare. Përfundimet e arritura në raportin e Komisionit Evropian shtrembërojnë plotësisht faktet reale”, tha ajo.
Bochorishvili shtoi se politika e Gjeorgjisë ndaj Rusisë pasqyron atë të anëtarëve të BE-së dhe NATO-s, që synon shmangien e konfrontimit dhe mbrojtjen e sigurisë kombëtare.
“Përgjegjësia kryesore e qeverisë është të shmangë kërcënimet ndaj vendit. Nëse e bëjmë këtë, nuk duhet dënuar, duhet mirëpritur”, deklaroi ajo.
Kryediplomatja gjeorgjiane kritikoi vërejtjet e ambasadorit të BE-së në Gjeorgji, Pavel Gerchinsky, duke thënë se ato përputhen me qëndrimet e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas dhe komisioneres evropiane për Zgjerim, Martha Kos.
“Ambasadori nuk mund të bëjë deklaratë që kundërshton udhëheqësit e Brukselit. Fatkeqësisht, deklarata nga Brukseli shtrembëron faktet rreth asaj që ndodhi në Gjeorgji më 4 tetor dhe krijon përshtypje të gabuara”, tha ajo.
Gjeorgjia mori statusin e kandidatit të BE-së në dhjetor 2023 pas muajsh tensionesh midis Tbilisit dhe Brukselit mbi reformat politike dhe prapambetjen e supozuar demokratike.

