RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Gjermani, grevat shkaktojnë ndërprerje në trafikun hekurudhor dhe ajror

gjermani,-grevat-shkaktojne-nderprerje-ne-trafikun-hekurudhor-dhe-ajror

Grevat e punonjësve të hekurudhave dhe personelit të sigurisë së aeroporteve kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha në Gjermani gjatë ditës së sotme, transmeton Anadolu.

Operatori kombëtar hekurudhor “Deutsche Bahn” anuloi të gjitha lidhjet në distanca të gjata deri në orën 13:00 me kohën lokale dhe gjithashtu paralajmëroi pasagjerët për ndërprerje të mëdha në transportin rajonal dhe lokal gjatë gjithë ditës.

Anëtarja e bordit të sindikatës EVG, Cosima Ingenschay, tha se mijëra punonjës morën pjesë në aksionin e grevës së sotme.

“Ka një zemërim dhe zhgënjim të madh, pasi ne ende nuk kemi marrë një ofertë të negociueshme nga punëdhënësit”, tha ajo në një deklaratë.

Sindikata ka paralajmëruar greva të reja nëse javën e ardhshme nuk hidhet në tryezë propozim i negociueshëm nga punëdhënësit.

Qindra fluturime u anuluan në pesë aeroporte, duke përfshirë ato në Hamburg, Köln-Bonn dhe Düsseldorf, pasi stafi i sigurisë ndaloi punën pas mosmarrëveshjes mbi pagat dhe kushtet e punës.

Autoritetet këshilluan pasagjerët që të kontrollojnë statusin aktual të fluturimit të tyre me kompaninë e tyre ajrore ose operatorin turistik përpara se të udhëtojnë në aeroport.

Gjermania është përballur me një valë grevash muajt e fundit pasi punonjësit kërkojnë paga më të larta për të kompensuar krizën e kostos së jetesës.

Sindikata EVG, e cila ka rreth 230.000 anëtarë, është aktualisht në negociata për pagat me “Deutsche Bahn” dhe rreth 50 kompani të tjera hekurudhore.

Sindikata po kërkon një rritje pagash prej 12 për qind dhe jo më pak se 650 euro në muaj.

Sindikata “Ver.di”, e cila përfaqëson mijëra punëtorë në sektorin e sigurisë së aviacionit, po kërkon një rritje të pagës jashtë orarit dhe pagesa shtesë për punën gjatë fundjavave dhe festave publike.

Related posts

Ministri gjerman: Duam ta bëjmë të qartë se Kosova ka mbështetje ushtarake

admin

Josep Borrelli akuzon Izraelin për nxitjen e urisë në Gazë

admin

Fajon për situatën në Gaza: Bota ka dështuar në testin e njerëzisë

admin6