RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Gjermani: Partia e ekstremit të djathtë AfD fiton zgjedhjet parlamentare në Saksoni-Anhalt

gjermani:-partia-e-ekstremit-te-djathte-afd-fiton-zgjedhjet-parlamentare-ne-saksoni-anhalt

Në zgjedhjet për parlamentin e landit Saksoni-Anhalt në Gjermani, sipas eksitpolleve, partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka dalë e para me 44,5 për qind të votave, transmeton Anadolu.

Në landin ku rreth 1,7 milion zgjedhës kishin të drejtë vote, procesi i votimit përfundoi në orën 18:00 sipas kohës lokale.

Sipas eksitpollit të parë të publikuar nga televizioni gjerman ARD, AfD-ja ka rritur me 23,7 pikë përqindjeje rezultatin krahasuar me zgjedhjet e zhvilluara pesë vjet më parë dhe ka dalë e para me 44,5 për qind.

Sondazhet në dalje tregojnë se AfD-ja e ka humbur për një diferencë shumë të vogël synimin për të siguruar e vetme shumicën parlamentare dhe se për formimin e qeverisë së landit do t’i duhet koalicion.

Ndërkaq, për formimin e një qeverie pa AfD-në, të gjitha partitë e tjera do të duhet të përfshihen në koalicion.

Ndërkohë, Unioni Kristian Demokrat (CDU), partneri kryesor i koalicionit qeverisës federal, ka humbur 18,6 pikë përqindjeje krahasuar me zgjedhjet e mëparshme të zhvilluara në vitin 2021 dhe ka dalë partia e dytë me 18,5 për qind.

Partia e Majtë ka humbur gjithashtu 1,5 pikë përqindjeje krahasuar me zgjedhjet e fundit dhe ka dalë e treta me 9,5 për qind, ndërsa Të Gjelbrit janë renditur të katërtit me 9 për qind.

Partia Socialdemokrate (SPD), e cila ka humbur 0,4 pikë përqindjeje krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, ka dalë e pesta me 8 për qind.

Sipas eksitpolleve, Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW) ka marrë 5 për qind të votave dhe ka siguruar të drejtën për të hyrë në parlamentin e landit. Megjithatë, ende nuk dihet nëse BSW-ja do ta kalojë pragun zgjedhor prej 5 për qind në fund të rezultateve përfundimtare.

Partia e Lirë Demokratike (FDP) ka marrë 2 për qind të votave, duke humbur 4,4 pikë përqindjeje krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, dhe nuk ka arritur të kalojë pragun zgjedhor.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve pritet të shpallen sonte ose nesër.

Related posts

Ushtria izraelite kryen bastisje në Bregun Perëndimor, arreston disa palestinezë

admin

Tankeri venezuelas po dërgohet drejt SHBA-së ndërsa Uashingtoni shqyrton sekuestrime të tjera

Muhamet Ramadani

Prijësi dhe dertet e popullit

admin