Policia në Gjermani gjeti më shumë se 100 shtetas sirianë brenda apartamenteve dhe ndërtesave të ndryshme që u bastisën të martën në lidhje me trafikimin e dyshuar të emigrantëve, transmeton Anadolu.
Më shumë se 350 efektivë të policisë federale gjermane bastisën lokacione të ndryshme në kuadër të hetimit. Sirianët dyshohet se u sollën në Gjermani pa patur dokumente të ligjshme qëndrimi, njoftoi agjencia e lajmeve DPA.
Policia ekzekutoi 5 urdhër-arreste, tre në qytetin verior të Stade dhe dy në qytetin perëndimor të Gladbeck. Të pesë personat e arrestuar ishin azilkërkues sirianë që tashmë jetonin në Gjermani.
Emigrantët sirianë u paguanin atyre prej 3.000 deri në 7.000 euro që të futeshin me kontrabandë në Gjermani. Më pas, të dyshuarit blenë ar me paratë, sipas DPA.
Bastisjet nga policia federale u urdhëruan edhe në aeroportin e Frankfurtit me dyshimin për kontrabandë komerciale dhe bandash të të huajve.
Fokusi i bastisjeve ishte në qytete dhe qyteza në Gjermaninë veriore dhe perëndimore, por edhe në Bavari në jug.