RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Gjermania dhe Norvegjia “mbledhin forcat”, do të ndërtojnë një tubacion gjigand hidrogjeni

gjermania-dhe-norvegjia-“mbledhin-forcat”,-do-te-ndertojne-nje-tubacion-gjigand-hidrogjeni

Gjermania sapo bëri një hap tjetër për të gjetur një mundësi furnizimesh afatgjatë dhe më të gjelbër ndaj gazit natyror dhe qymyrit rus.

Prodhuesi gjerman i energjisë RWE dhe firma energjetike shtetërore norvegjeze Equinor njoftuan të enjten planet për të ndërtuar termocentrale me karburant hidrogjeni në Gjermani gjatë viteve të ardhshme, si dhe një tubacion të madh midis dy vendeve që do të shërbejë për furnizimin e tyre.

Kjo marrëveshje, e cila nuk është ende ligjërisht e detyrueshme, është pjesë e përpjekjeve të Gjermanisë për të eliminuar gradualisht të gjitha termocentralet me qymyr deri në vitin 2030 dhe për të dekarbonizuar sektorin e saj të energjisë. Berlini është larguar në mënyrë drastike nga furnizimet e Rusisë që pas pushtimit të Ukrainës dhe duhet të gjejë vende të tjera furnizuese që ofrojnë siguri.

“Përmes këtij bashkëpunimi, ne do të forcojmë sigurinë afatgjatë të energjisë për vendin kryesor industrial të Europës,” tha në një deklaratë të përbashkët Anders Opedal, CEO dhe president i Equinor.

Termocentralet, të cilat do të jenë në pronësi të përbashkët të RWE dhe Equinor, fillimisht do të funksionojnë me gaz natyror të prodhuar në Norvegji, përpara se të kalojnë te përdorimi i hidrogjenit “blu”, i cili prodhohet gjithashtu në Norvegji duke përdorur gaz natyror dhe dërgohet përmes tubacionit nënujor, deklaruan kompanitë.

Më shumë se 95% e dioksidit të karbonit të emetuar gjatë prodhimit të hidrogjenit do të kapet dhe ruhet nën shtratin e detit, shtuan ata. Equinor planifikon të krijojë një kapacitet prodhimi prej 2 gigavat për hidrogjenin “blu” deri në vitin 2030.

Qëllimi përfundimtar është gjenerimi i të ashtuquajturit hidrogjen “të gjelbër” duke përdorur energjinë e rinovueshme të prodhuar nga centralet e erës në det të hapur, thanë ata.

Bashkimi Europian ka në objektiv që të krijojë kapacitete prodhimi të hidrogjenit të rinovueshëm prej 40 gigavat deri në vitin 2030.

“Ka një nevojë urgjente për rritje të shpejtë të ekonomisë së hidrogjenit,” tha në deklaratë Markus Krebber, shefi ekzekutiv i RWE. “Hidrogjeni blu në sasi të mëdha mund të jetë fillimi, me tranzicionin e mëvonshëm drejt furnizimit me hidrogjen të gjelbër.”

Kompanitë nuk kanë deklaruar se sa termocentrale synojnë të ndërtojnë, apo vlerën e investimeve të tyre të përbashkëta.

Norvegjia tani është furnizuesi më i madh i gazit natyror në Europë, sipas statistikave zyrtare të BE-së. Që kur Rusia filloi të reduktojë eksportet e saj drejt bllokut në formë hakmarrjeje për sanksionet europiane që erdhën si rrjedhojë e luftës në Ukrainë, vendi nordik ka shtuar eksportet e tij për të ndihmuar në plotësimin e boshllëkut të krijuar. /gazetashqiptare

Related posts

Agjencia e OKB-së: Gaza është bërë “një nga vendet më të rrezikshme në botë”

rezart morina

“Putin nuk do të ndalet në Ukrainë”- Paralajmëron Biden: E gjithë Evropa është e kërcënuar!

admin

Turqia do të fillojë prodhimin masiv të sistemeve vendase të mbrojtjes ajrore

admin