Qeveria gjermane do të furnizojë Ukrainën me armë dhe municione të reja në vlerë 2.7 miliardë euro përpara vizitës së mundshme të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, transmeton Anadolu.
Agjencia gjermane e lajmeve DPA njoftoi se Gjermania do të sigurojë 20 automjete të blinduara luftarake të tipit Marder, 30 tanke luftarake Leopard-1 dhe katër sisteme të mbrojtjes ajrore Iris-T-SLM.
Më tej thuhet se armët dhe municionet me vlerë 2.7 miliardë euro, që do t’i jepen Ukrainës, janë mbështetja më e madhe e vetme nga Gjermania që nga fillimi i luftës ruso-ukrainase.
Gjermania ka dhënë deri më tani 2.75 miliardë euro mbështetje në armë për Ukrainën.
Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha se furnizimet ushtarake që do të dërgohen tregojnë se Gjermania është serioze në ofrimin e mbështetjes.
“Të gjithë duan që lufta e tmerrshme që Rusia po bën kundër popullit ukrainas, e cila është kundër ligjit ndërkombëtar, të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Fatkeqësisht, kjo nuk është ende në dukje. Prandaj, Gjermania do të ofrojë të gjithë ndihmën që mundet, për aq kohë sa është e nevojshme”, tha Pistorius.
Deri më tani, Gjermania ka dërguar në Ukrainë 18 tanke Leopard-2, 40 automjete të blinduara luftarake Marder, 34 tanke Gepard dhe dy automjete të blinduara shpëtimi.