RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Gjermania paralajmëron se do të ketë mungesa lokale të naftës pas ndalimit të importeve ruse nga BE

gjermania-paralajmeron-se-do-te-kete-mungesa-lokale-te-naftes-pas-ndalimit-te-importeve-ruse-nga-be

Gjermania ka paralajmëruar se do të ketë mungesa lokale të naftës kur të hyjë në fuqi ndalimi në mbarë BE-në për naftën ruse në muajin janar.

Kjo është një tjetër shenjë e problemeve madhore që po shkakton kriza energjetike e Europës në ekonominë më të madhe të kontinentit.

Paralajmërimi erdhi gjatë një përgjigjeje ndaj një pyetjeje që u bë nga deputetët e opozitës Kristian Demokrate në lidhje me sigurinë energjetike në Gjermaninë lindore, ku ndodhen dy rafineri të mëdha të cilat kanë varësi të lartë nga nafta e papërpunuar ruse.

Njëra prej tyre, Schwedt, është ndër furnizuesit kryesorë për ekonominë rajonale tër benzinës, naftës dhe karburantit të përdorur nga avionët, duke u shërbyer konsumatorëve të mëdhenj lokalë të tillë si aeroporti ndërkombëtar i Berlinit.

Në përgjigjen e saj, qeveria detajoi përpjekjet për të diversifikuar Schwedt-in dhe për ta bërë atë më pak të varur ndaj importeve të naftës ruse, por pranoi se embargoja mund të shkaktonte probleme për ekonominë e Gjermanisë Lindore.

“Në varësi të skenarit, nuk mund të përjashtohen mungesat lokale dhe të përkohshme të furnizimeve, si dhe rritja e çmimeve”, thanë ministrat në përgjigjen e tyre.

Qeveria i krahasoi këto mungesa me bllokimet që u shfaqën në Gjermaninë jugore gjatë verës, kur temperaturat tepër të larta shkaktuan një rënie drastike të niveleve të ujit në lumin e Rinit, duke ndërprerë transportin nëpërmjet anijeve dhe duke rritur kështu kostot e transportit në rrugët kryesore ujore tregtare të Europës.

Sanksionet e BE-së ndaj eksporteve të naftës ruse nëpërmjet anijeve hyjnë në fuqi më 5 dhjetor dhe përbëjnë një pjesë kryesore të përpjekjeve të bllokut për të privuar presidentin rus Vladimir Putin nga miliarda dollarë të ardhura që do të financonin luftën e tij kundër Ukrainës.

Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke negociuan për përjashtime të përkohshme nga kjo embargo, duke u bazuar te mungesa e alternativave të tyre ndaj naftës ruse. Të treja këto vende mbështeten shumë te tubacioni Druzhba që vjen direkt nga Rusia.

Por, pavarësisht faktit se Schwedt dhe një tjetër rafineri në lindje të Gjermanisë, Leuna, janë gjithashtu të lidhura me tubacionin Druzhba, Berlini tha se do ta zbatonte embargon plotësisht deri në fund të këtij viti, pa asnjë përjashtim. Polonia pranoi të bënte të njëjtën gjë.

Në shtator, qeveria shkoi akoma më tej, duke marrë në kontroll rafinerinë Schwedt nga pronari i saj, gjigandi rus i naftës Rosneft.

Në përgjigjen e saj ndaj deputetëve të CDU, qeveria tha se efekti i reduktimit të prodhimit nga Schwedt dhe Leuna si rezultat i ndërprerjes së furnizimeve me naftë ruse do të ishte “sfidues, por i menaxhueshëm”.

Schwedt aktualisht po përpiqet të sigurojë furnizime alternative përmes dy tubacioneve të ndryshme – njëri që vjen nga porti gjerman i Rostock në Detin Baltik dhe një tjetër nga porti polak i Gdansk.

Qeveria tha se tubacioni Rostock-Schwedt “është dhe mbetet një shtyllë e rëndësishme e furnizimit me naftë bruto jo-ruse për rafinerinë Schwedt”.

Aktualisht ai mund të dërgojë 5 deri në 6,8 milion ton naftë në vit në Schwedt, por punët shtesë që po bëhen do të rrisin kapacitetin deri në rreth 9 milion ton në vit. Qeveria njoftoi në shtator se do të siguronte 400 milion € për të financuar këto punë shtesë.

Ministrat këmbëngulën se tubacioni mund të furnizojë Schwedt me “vëllimin minimal teknik të nevojshëm” për të siguruar funksionimin normal të rafinerisë. Megjithatë, kritikët e embargos ndaj naftës ruse kanë vënë në dukje se Schwedt ka nevojë për rreth 12 milionë tonë naftë bruto në vit për të operuar me kapacitet të plotë.

Opsioni i Gdansk mbetet në tryezën e diskutimit, kanë thënë zyrtarët, me cisternën e parë të naftës të dërguar në Schwedt nëpërmjet Gdansku që mbërriti javën e kaluar.

Por, në përgjigjen e saj ndaj CDU-së, qeveria uli pritshmëritë se tubacioni Gdansk-Schwedt mund të ishte një burim kryesor furnizimi për rafinerinë. Qeveria tha se kjo linjë kishte vetëm kapacitet “të kufizuar” për të dërguar naftë në Schwedt, sepse ajo furnizon gjithashtu Leuna dhe rafineritë në Poloni.

“Duke marrë në konsideratë kapacitetet aktuale teknike, kërkesat dhe potencialin për optimizim, qeveria do të mirëpriste vëllime prej rreth 2-3 milionë tonë në vit” përmes gazsjellësit Gdansk, deklaruan ministrat gjermanë. /monitor

Related posts

Bangladeshi dënon ashpër djegien e Kuranit të Shenjtë në Suedi

admin

Shefi i OBSH-së thotë se është nisur për në Siri

rezart morina

Aksident i rëndë trafiku në Prishtinë

admin