Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka bërë thirrje për një armëpushim afatgjatë në Gaza, duke deklaruar se ekziston një nevojë urgjente për të ofruar më shumë ndihma humanitare për civilët palestinezë, raporton Anadolu.
“Ajo që tani duhet të arrihet sa më parë ëhtë një armëpushim disi më i gjatë”, u tha Scholz ligjvënësve, duke shtuar se kjo mund të mundësojë dërgimin e ndihmës humanitare dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Kancelari gjerman tha se është optimist për bisedimet e vazhdueshme të armëpushimit dhe theksoi se Gjermania gjithashtu po përpiqet të kontribuojë me angazhimet e saj diplomatike në një rezultat pozitiv këtu.
“Nuk dua të jap shpresë të rreme këtu, por kam përshtypjen se për momentin është më realiste sesa ka qenë për një kohë të gjatë”, tha ai.
Politikani social-demokrat po ashtu i bëri thirrje qeverisë izraelite që të lejojë më shumë dërgesa të ndihmave në Gaza nga toka.
“Për ne, është thelbësore që të bëhet gjithçka për të siguruar që ndihma e mjaftueshme humanitare të arrijë në Gaza. duhet të hapen më shumë pika kufitare në mënyrë që më shumë kamionë të mund të arrijnë në Gaza. Qëllimi ynë është jo 200, por më shumë se 500 kamionë për çdo ditë. Kjo është mënyra e vetme për të garantuar sigurinë e furnizimit për njerëzit në Gaza”, tha Scholz.
Ai tha se liderët evropianë do të diskutojnë konfliktin e Lindjes së Mesme dhe perspektivat për një zgjidhje politike gjatë një samiti dy-ditor në Bruksel që fillon nesër.
Ai theksoi se Gjermania mban përgjegjësi të veçantë për Izraelit për shkak të historisë, por tha se Berlini mbështet një zgjidhje me dy shtete në mënyrë që izraelitët dhe palestinezët të mund të jetojnë krah për krah në paqe.
“Tani duhet të bëhet e qartë se si mund të ketë një të ardhme për bashkëjetesën paqësore të Izraelit dhe një shteti palestinez”, tha Scholz.
Por ai këmbënguli se Autoriteti Palestinez duhet së pari të ndërmarrë hapa për reformën politike dhe të përmirësojë përfaqësimin demokratik.
Kancelari gjerman përsëriti kundërshtimin e qeverisë së tij për një njohje të menjëhershme të një shteti palestinez.
“Ne nuk do të pajtohemi nëse dikush tani thotë se Autoriteti Palestinez duhet të njihet menjëherë”, tha Scholz, duke iu referuar thirrjeve nga anëtarët e Bashkimit Evropian (BE), Irlanda dhe Spanja.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga grupi palestinez i rezistencës Hamas, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 izraelitë.
Pothuajse 32 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza dhe mbi 74 mijë të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit të masë dhe mungesës së nevojave themelore.
Sipas OKB-së, lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes një bllokade të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi dhe të garantojë që ndihma humanitare të ofrohet për civilët në Gaza.