Edhe pse depot e gazit në Gjermani janë rreth 90 për qind të mbushura, ende duket se ka rreziqe për furnizimin me gaz gjatë dimrit.
Megjithëse depot e gazit janë të mbushura mirë, Agjencia Federale e Energjisë mendon se ka ende rreziqe për furnizimin me energji gjatë dimrit të ardhshëm. Pas ndërprerjes së furnizmeve me gaz nga Rusia Gjermania ka siguruar burime të tjera të qëndrueshme furnizimi, si për shembull gaz të lëngshëm.
“Megjithatë do të ishte ende e parakohshme për të dhënë një sinjal të qartë shparalajmërimi” – tha Klaus Müller, President i Agjencisë Federale të Energjisë, për gazetën “Neue Osnabrücker Zeitung”.
Ndër rreziqet bën pjesë edhe një dimër shumë i ftohtë në Evropë. Përveç kësaj presidenti rus Vladimir Putin mund të mbyllë rubinetin e gazit për Evropën Juglindore.
Po ashtu edhe mundësia e sulmeve ndaj tubacioneve të gazit është një skenar i mundshëm që ngjall tmerr.
Depot gjermane të magazinimit të gazit janë aktualisht të mbushura në masën rreth 90 për qind – para mjaft më të mbushura se verën e vitit të kaluar.
Përveç kësaj si industria edhe familjet e kanë reduktuar konsumin e tyre të gazit. Gjithashtu Gjermania merr më pak gaz që duhet të kalojë përmes tubacionesh në vende të tjera, tha Müller.
Megjithatë sipas tij Agjencia Federale e Energjisë do të “bëjë përsëri thirrje për kursim dhe përdorim të kujdesshëm të gazit, kur të afrohet sezoni i përdorimit të kaloriferëve”. /dw