RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Gjykata Supreme e SHBA-së rrëzon fushatën e Trumpit për tarifa globale

gjykata-supreme-e-shba-se-rrezon-fushaten-e-trumpit-per-tarifa-globale

Gjykata Supreme e SHBA-së rrëzoi të premten fushatën globale të tarifave të presidentit Donald Trump, duke thënë se shtylla kryesore e politikave të administratës së tij nuk ka bazë ligjore, transmeton Anadolu.

Vendimi i gjykatës me 6 vota pro dhe 3 kundër e kufizon ndjeshëm një mjet që Trump e ka përdorur për të ndjekur agjendat e tij ekonomike dhe të politikës së jashtme, pasi gjatë pjesës më të madhe të vitit të parë në detyrë ai përdori tarifat për t’i shtyrë vendet të nënshkruajnë marrëveshje të reja tregtare, si dhe si një nga mjetet për të ushtruar presion ndaj shteteve për ndaljen e luftërave.

Gjykata Supreme tha se Kushtetuta “shumë qartë” ia jep Kongresit autoritetin për taksimin, përfshirë vendimet për vendosjen e tarifave, dhe jo presidentit.

“Hartuesit (e Kushtetutës) nuk i kanë dhënë asnjë pjesë të pushtetit të taksimit Degës Ekzekutive”, shkroi kryetari i Gjykatës, John Roberts, në emër të shumicës.

Gjykata hodhi poshtë arsyetimin e presidentit se një ligj i vitit 1977, i njohur si “International Emergency Economic Powers Act” (IEEPA), i lejon atij të vendosë tarifa importi në baza emergjente.

“IEEPA e autorizon presidentin të ‘hetojë, bllokojë gjatë hetimit, rregullojë, drejtojë dhe detyrojë, shpallë të pavlefshme, anulojë, parandalojë ose ndalojë … importin ose eksportin’”, shkroi Roberts.

“Në këtë listë të gjatë kompetencash specifike mungon çdo përmendje e tarifave apo detyrimeve doganore. Po të kishte pasur qëllim Kongresi t’ia jepte këtë fuqi të veçantë dhe të jashtëzakonshme për vendosjen e tarifave, do ta kishte bërë shprehimisht, siç ka vepruar vazhdimisht në ligje të tjera për tarifat”, shtoi ai.

Gjyqtarët konservatorë Samuel Alito, Brett Kavanaugh dhe Clarence Thomas shprehën mendim kundërshtues.

Të tre indekset kryesore të bursës në SHBA u rritën pas lajmit për vendimin, pasi të dhënat negative për GDP-në të publikuara më herët të premten kishin zbehur besimin e investitorëve.

Related posts

Shoqata e Futbollit të Palestinës: FIFA dështoi të zbatonte rregullat kundër Izraelit

Irfan Jahiu

“Ditë historike”- Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange kthehet në shtëpi pas 14 vitesh beteja ligjore!

admin

Rreth 50 mijë euro dëme nga djegia e depos në fabrikë, Policia jep detaje nga rasti në Prizren

admin