RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Gjykatat nuk arritën ta vërtetojnë asnjë rast të paraqitjes së veteranëve të rrejshëm vitin e kaluar

gjykatat-nuk-arriten-ta-vertetojne-asnje-rast-te-paraqitjes-se-veteraneve-te-rrejshem-vitin-e-kaluar

Gjykatat në Kosovë, gjatë vitit të shkuar, nuk nxorën asnjë aktvendim dënues për personat që dyshohen se falsifikuan dokumente për ta siguruar statusin e veteranit. Listës së përfituesve të pensionit të veteranit, më 2022, i janë larguar 71 persona, 70 prej të cilëve për shkaqe personale, e vetëm një është hequr përkohësisht si rrjedhojë e një rasti gjyqësor ndaj tij në Gjykatën e Pejës. Për veteranët që dyshohet se mbajnë rrejshëm këtë status, që nga viti 2019 janë ngritur mbi 100 aktakuza.
Asnjë aktakuzë e ngritur për mashtrim apo falsifikim të dokumenteve për sigurimin e statusit të veteranit, gjykatat nuk kanë arritur ta përmbyllin me aktgjykim dënues gjatë vitit të shkuar.

Aktualisht vetëm një personi i është ndërprerë përkohësisht pensioni i veteranit, deri në një vendim përfundimtar nga procesi gjyqësor.

Krahas tij, nga lista e veteranëve më 2022 janë larguar edhe 70 persona të tjerë, porse për arsye personale e jo si shkak të vendimeve gjyqësore.

“36 mijë e 825 persona kanë qenë përfitues të pensionit të veteranëve në dhjetor të vitit 2022. Ka persona që janë larguar nga kjo listë dhe arsyet janë: raste të vdekjes, të punësuar, kalim nga një skemë në një skemë tjetër, e të tjera. Ndërsa është një rast nga Gjykata për pezullim deri në përfundim të procedurës (Gjykata e Pejës)”, është thënë nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Për veprat penale: “Legalizim i përmbajtjes së rreme dhe mashtrim me çështjen e veteranëve”, Prokuroria Themelore e Pejës që prej vitit 2019 e deri më tash ka ngritur 51 aktakuza.

Në Prokurorinë e Mitrovicës janë pranuar gjithsej 69 kallëzime penale, e janë ngritur 49 aktakuza. Por vetëm për tri prej këtyre rasteve ka aktvendim mbi fillimin e hetimeve, përderisa të tjerat janë ende në trajtim.

Ndërkaq në Prokurorinë e Prizrenit, ani se kanë pranuar që për vitet 2021 dhe 2022 kanë më se 160 kallëzime penale, për asnjërën prej tyre nuk është ngritur aktakuzë dhe për të gjitha prej tyre tanimë janë pushuar hetimet.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se në Prokurorinë Themelore në Prizren, gjatë vitit 2021 janë pranuar 145 kallëzime penale kundër 145 personave, ndërsa gjatë vitit 2022 janë pranuar 17 kallëzime penale kundër 17 personave, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 398, dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” nga neni 403, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (Kodi Nr.04/L-82). Në të gjitha këto raste kemi pushim të hetimeve”, ka thënë Prokuroria Themelore e Prizrenit.

Në Prokurorinë Themelore të Prishtinës janë ngritur 4 aktakuza e 23 raste të tjera vazhdojnë të jenë në proces të hetimeve, përderisa në atë të Gjilanit janë ngritur 6 aktakuza, në të Gjakovës tri dhe në të Ferizajt, 2.

Aktakuzat e pakta nga prokuroritë e edhe vendimet e rralla të gjykatave, juristi Anton Nrecaj, i sheh si dështim të sistemit të drejtësisë për zbardhjen e çështjes.

“Këtu shihet që institucionet e drejtësisë realisht po dështojnë në zbatimin e drejtësisë, duke i trajtuar sidomos këto raste të cilat kanë të bëjnë me fryrjen e listave të veteranëve. Natyrisht që këtu kemi elemente të korrupsionit dhe zotimi i sistemit të drejtësisë, qoftë prokurorisë, qoftë gjykatave, po rezulton që është vetëm zotim në letër”, ka thënë Nrecaj.

Bazuar në Organizatën për Migrim, IOM, pjesë e OKB-së, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur rreth 25 mijë ushtarë. Gjatë procesit të aplikimit, statusi i veteranit u ishte njohur rreth 60 mijë personave, numri i të cilëve, pas disa proceseve gjyqësore, ka rënë në 36 mijë e 825.

Qeveria muaj më parë pati propozuar hartimin e një ligji të ri për nisjen e procesit të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve në luftën çlirimtare.

Por, deri më tash, zotimi nuk figuron në programin legjislativ të Qeverisë për këtë vit.

Avokati Nrecaj thotë se pastrimi i listave të veteranëve është përdorur dhe vazhdon të përdoret nga politika vetëm për poenë politikë.

“I vetmi vullnet i politikës ka qenë dhe po rezulton të mbetet trajtimi i kësaj problematike për poenë politikë. Sa i përket institucioneve të shtetit, natyrisht se nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në gjyqësor sepse janë pushtete të ndara. Mirëpo e kanë për detyrim dhe obligim ligjor që t’i ndihmojnë sistemin për të funksionuar më mirë në këtë rast nëse është e nevojshme plotësim-ndryshimi i kornizës ligjore”, ka thënë Nrecaj.

Pagesa për më shumë se 36 mijë veteranë brenda një viti e kap shifrën prej mbi 75 milionë eurosh.

Related posts

Policia po interviston dy të dyshuar për shpërndarjen e fletushkave ku bëhej thirrje për sulm në veri

admin

Policia gjermane përballet me kritika pasi arrestoi një djalë 10-vjeçar gjatë protestës pro Pa’lestinës – VIDEO

RTI

Eksperti i OKB-së paralajmëron se bota është në rrezik për ndërprerje të furnizimit ushqimor

admin