RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Green: Veprimet e Izraelit në Gaza janë të barabarta me gjenocid

green:-veprimet-e-izraelit-ne-gaza-jane-te-barabarta-me-gjenocid

Çështja e Afrikës së Jugut përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) solli debatin lidhur me veprimet vdekjeprurëse të Izraelit në Gaza, të cilat grupet e të drejtave të njeriut dhe ekspertët në sferën globale politike dhe ligjore i konsiderojnë gjenocid.

Ekipi ligjor i Afrikës së Jugut ishte i vendosur në qëndrimin e tij se Izraeli është i përfshirë në aktivitete gjenocidale, duke kërkuar nga GjND-ja masa të veçanta të përkohshme që detyrojnë ushtrinë e saj të ndalojë operacionet në Rripin e Gazës.

Kur bëhet fjalë për akuzat për gjenocid, vërtetimi i qëllimit është kushti kryesor, kurse mbrojtja e Izraelit u fokusua në mohimin se ka ekzistuar ndonjëherë.

Profesoresha e së drejtës dhe globalizmit në Universitetin Queen Mary të Londrës, Penny Green, beson se ka prova të mjaftueshme për të sugjeruar se veprimet e Izraelit në Gaza janë të barabarta me gjenocid, edhe atë me qëllim.

Një pjesë e kësaj, pohoi ajo, është thjesht për shkak të mënyrës se si Izraeli e ka kryer ofensivën ushtarake në Gaza, me një ndjenjë mosndëshkimi dhe duke shfaqur hapur armiqësinë e tij.

“Shtetet gjenocidale rrallë ia besojnë planet e tyre gjenocidale politikës ose shqyrtimit publik. Kështu që, zakonisht deri te përfundimet duhet të arrihet duke analizuar veprimet e shtetit ose rrjedhjen e memorandumeve”, tha Green për Anadolu.

“Izraeli, në këtë rast përbën përjashtim. Me kryeneçësinë, arrogancën e një fuqie koloniale, ka bindjen se mund të vrasë, të shkatërrojë, të dëbojë, të poshtërojë, të burgosë dhe të dëbojë pa u ndëshkuar”, tha ajo.

Izraeli ka vepruar me “bindjen se ka mbështetjen e vazhdueshme financiare dhe morale të vendeve perëndimore, veçanërisht të ShBA-së”, shtoi ajo.

“Me ata që qëndrojnë pas tij, Izraeli nuk mund të kishte shprehur qëllimin e tij për të shkatërruar popullsinë e Gazës më qartë se sa e ka bërë. Mund ta shohim këtë qëllim të mishëruar në shpalljen e gjendjes së rrethimit total për Gazën, duke ndërprerë ushqimin, ujin, karburantin, energjinë elektrike dhe furnizimet mjekësore”, tha Green.

Green këtë e përshkroi si “deklaratë të qartë të qëllimit për të kryer gjenocid”, duke iu referuar Konventës së Gjenocidit të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1948, e cila trajton vendosjen e qëllimshme të kushteve ndaj një grupi me qëllimin për shkaktimin e shkatërrimit fizik të pjesshëm ose të plotë.

Ekspertët e OKB-së paralajmëruan përsëri javën e kaluar se veprimet e Izraelit në Gaza janë “gjenocid i hapur”, duke paralajmëruar se “banorët e Gazës tani përbëjnë 80 për qind të të gjithë njerëzve që përballen me urinë ose urinë katastrofike në mbarë botën”.

Për Green, argumentet e Izraelit në GjND ishin “shumë të dobëta” dhe ajo e karakterizoi performancën e ekipit të tyre ligjor si “të mangët” dhe “jobindës”.

Nga ana tjetër, Green vlerësoi prezantimin ligjor të Afrikës së Jugut, veçanërisht për theksimin e tyre në elementin vendimtar të qëllimit në vërtetimin e gjenocidit.

“Mendoj se ata kanë dhënë disa argumente shumë të forta ligjore. Mendoj se kanë punuar shumë për të vendosur qëllimin”, tha ajo.

Ekipi i Afrikës së Jugut, theksoi ajo, kaloi shumë kohë që po diskuton “bombardimin e Gazës, shkatërrimin efektiv të Gazës me bombardime pa dallim, vrasjen masive të dhjetëra mijëra civilëve, pothuajse gjysma e të cilëve janë fëmijë”.

Siç tha ajo, ata folën për “shkatërrimin e lagjeve të tëra rezidenciale dhe infrastrukturës mjekësore dhe arsimore, zhvendosjen e detyruar dhe për vendosjen e një rrethimi total”.

Related posts

Erdoğani dhe Macroni diskutojnë armëpushimin me Iranin, Libanin dhe Gazën

Kushtrim Guraj

Nga aborti, tek ekonomia, qëndrimet kontradiktore të Donald Trump dhe Kamala Harris përpara debatit të tyre të parë

admin

Kurti e Lajçak takohen në ora 16:00

Muhamet Ramadani