Ujërat e përmbytjeve në Greqinë qendrore që shpërngulën mijëra banorë, vazhdojnë të tërhiqen, ndërsa autoritetet janë të shqetësuara se ndërsa niveli i ujit ulet, do të gjenden më shumë trupa, raportoi media greke.
“Niveli i lumit Pinios aktualisht, qëndron në rreth 8 metra, nën kulmin e tij prej 10 metrash”, raportoi gazeta “Kathimerini”.
“Ekziston frika se do të gjenden më shumë viktima ndërsa ujërat vazhdojnë të tërhiqen”, thuhet në raport.
Shkalla e shkatërrimit po del dalëngadalë në dritë.
“Dëmi ka të ngjarë të arrijë në miliarda euro”, vlerësojnë ekspertët.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis u takua me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Strasburg, ku diskutuan ndihmën e BE-së për katastrofën.
Autostrada më e rëndësishme e Greqisë midis metropoleve të Athinës dhe Selanikut mbeti e mbyllur në qytetin e Larisës për shkak të përmbytjeve. /atsh