Ministri i Imigracionit dhe Azilit të Greqisë, Notis Mitarakis deklaroi se qasja e Bashkimit Evropian (BE) ndaj refugjatëve nga Ukraina dhe refugjatëve nga vendet e tjera është e ndryshme, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Është fakt se qasja ndaj refugjatëve nga Ukraina dhe refugjatëve nga vendet e tjera është e ndryshme. Ky është vendim i BE-së, jo i Greqisë”, tha Mitarakis.
Duke kujtuar se Këshilli i Ministrave të Punëve të Brendshme të BE-së aplikoi për njohjen e drejtpërdrejtë të statusit të refugjatit të emigrantëve nga Ukraina, Mitarakis theksoi se Greqia dëshiron që e drejta e lëvizjes së lirë brenda kufijve të BE-së të zbatohej si për ukrainasit ashtu edhe për të gjithë refugjatët tjerë.
“Ne u themi aleatëve tanë evropianë se refugjatët e njohur nga çdo shtet anëtar i BE-së duhet të kenë të drejtën e lëvizjes së lirë brenda kufijve të BE-së”, tha Mitarakis.
Ai argumentoi se nuk është qasja e duhur që refugjatët të qëndrojnë në vendin ku kanë hyrë fillimisht në BE. Sipas tij, BE-ja duhet të jetë më solidare me këto vende.
Ministri grek theksoi se nuk është e mundur që Greqia të presë një numër të pafund refugjatësh. “Ne përbëjmë 2.4 për qind të BE-së. Duhet të mbajmë një barrë në përpjesëtim me këtë”, tha Mitarakis.