Grupet e rezistencës në Rripin e Gazës njoftuan se kanë shënjestruar automjetet ushtarake izraelite dhe pozicionet e forcave të ushtrisë izraelite në zona të ndryshme të Gazës, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të përbashkët nga Brigadat Al-Quds, krahu i armatosur i lëvizjes së Xhihadit Islamik dhe Brigadat Kassam, krahu i armatosur i Hamasit, thuhet se sulmet shkaktuan të vdekur dhe të plagosur nga radhët e ushtrisë izraelite.
Në deklaratën e Brigadave Al-Quds thuhet: “Në operacionin e përbashkët të kryer me Brigadat Kassam, u vranë dhe u plagosën shumë ushtarë izraelitë pas përleshjes me forcat izraelite të cilat ishin pozicionuar brenda një shtëpie në rajonin Al-Faluja në veri të Gazës”.
Gjatë përleshjeve në rajonin Al-Shuja‘iyya në lindje të Gazës bëhet e ditur se janë vrarë dy ushtarë izraelitë.
Ndërsa në një deklaratë tjetër nga Brigadat Al-Quds theksohet se pozicionet izraelite në verilindje të Khan Younis u bombarduan me predha mortajash.
Gjithashtu edhe në një deklaratë nga Brigadat Kassam thuhet se “U shënjestrua një grup ushtarësh të forcave speciale izraelite të cilët po përdornin një ndërtesë në qytetin Beit Lahia në veri të Rripit të Gazës dhe se në mesin e ushtarëve izraelitë ka të vdekur dhe të plagosur”.
Brigadat Kassam dje në një deklaratë njoftoi se ka shënjestruar ushtarët izraelitë dhe dy tanke të pozicionuara në qytetin Khan Younis.
Ushtria izraelite nuk ka bërë ende ndonjë njoftim lidhur me deklaratat me shkrim nga grupet e rezistencës palestineze.