Pranon çarmatimin nën mbikëqyrjen amerikane, Izraeli vijon bombardimet në Gaza
Në atë që është cilësuar si zhvillimi më i rëndësishëm diplomatik i muajve të fundit, Hamasi ka pranuar në parim një plan për çarmatimin gradual të organizatës dhe të grupeve të tjera të armatosura në Rripin e Gazës.
Marrëveshja, e shpallur pak orë më parë nga presidenti amerikan Donald Trump dhe e mbështetur nga i ashtuquajturi “Bordi i Paqes për Gazën”, parashikon që armët e rënda, tunelet dhe objektet e prodhimit të armëve të kalojnë nën kontrollin e një administrate civile palestineze, të mbikëqyrur nga një mekanizëm ndërkombëtar.
Sipas burimeve të përfshira në negociata, procesi do të zhvillohet në disa faza dhe do të shoqërohet me tërheqjen graduale të forcave izraelite nga territori i Gazës.
Po ashtu, pritet ngritja e një force ndërkombëtare stabilizimi dhe krijimi i një strukture të re policore palestineze, e cila do të marrë nën kontroll zonat e liruara.
Megjithatë, vetë Hamasi ka vendosur kushte të qarta. Anëtari i ekipit negociator, Ghazi Hamad, deklaroi se organizata nuk do të ndërmarrë asnjë hap konkret pa fillimin e tërheqjes izraelite dhe pa garanci për rindërtimin e territorit palestinez.
Sipas tij, armët nuk do t’i dorëzohen Izraelit, por do të administrohen nga një komitet kombëtar palestinez. Nga ana tjetër, reagimi i Izraelit mbetet i paqartë.
Zyrtarët izraelitë kanë shprehur dyshime të forta për gatishmërinë e Hamasit për të zbatuar marrëveshjen dhe vazhdojnë të kërkojnë çmilitarizimin e plotë të Gazës si kusht paraprak për çdo zgjidhje afatgjatë.
Ndërsa bisedimet vazhdojnë, sulmet ajrore izraelite kanë shkaktuar viktima të reja, mes tyre gra dhe fëmijë. Autoritetet shëndetësore në Gaza, raportojnë se dhuna nuk ka reshtur as pas njoftimeve për përparim diplomatik, duke thelluar mosbesimin e popullsisë ndaj çdo premtimi për paqe.
Analistët vlerësojnë se pranimi i çarmatimit nga Hamasi përfaqëson një ndryshim historik, pasi organizata ka refuzuar për dekada të tëra çdo ide për heqjen dorë nga arsenali i saj ushtarak. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se pengesat janë të shumta.
Mbi të gjjitha, një pjesë e klasës politike izraelite kundërshton tërheqjen nga Gaza, ndërsa fraksione të tjera të armatosura palestineze mund të refuzojnë t’i binden planit të ri.
Në qendër të debatit qëndron edhe roli i Shteteve të Bashkuara. Kritikët argumentojnë se Uashingtoni po përpiqet të imponojë një model politik dhe ekonomik që anashkalon organizatat ndërkombëtare dhe vetë institucionet palestineze.
Por për banorët e Gazës, çështja mbetet shumë më e thjeshtë. Ata nuk presin deklarata triumfuese, por fundin e bombardimeve, rikthimin në shtëpitë e tyre dhe një garanci se lufta po i afrohet fundit. tesheshi

