Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar shkarkimin e deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, nga pozita e anëtares së Komisionit për kompensimin e viktimave të krimit, që funksionon në kuadër të Ministrisë.
Sipas njoftimit që i është drejtuar kryetarit të Komisionit parlamentar për legjislacion, mandate, imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Adnan Rrustemi, Deliu-Kodra nuk ka marrë pjesë në 9 nga 16 mbledhjet e Komisionit që janë mbajtur në periudhën 2022-2023.
Koha ka kërkuar një koment nga deputetja Deliu-Kodra lidhur me këtë, por ajo ende nuk ka kthyer përgjigje. Posa të marrë një përgjigje nga deputetja teksti do të përditësohet.
Në njoftimin e Haxhiut thuhet se përkundër që s’ka marr pjesë në këto mbledhje, Deliu-Kodra është kompensuar për to me 2351 euro.
“Sipas Raportit për vitin 2022 dhe 2023, Komisioni ka mbajtur gjithsej 16 mbledhje, në të cilat anëtarja e Komisionit, zonja Blerta Deliu-Kodra për vitet 2022 dhe 2023, ka marrë pjesë në vetëm 7 mbledhje prej 16 mbledhjesh sa janë mbajtur gjithsej për këtë periudhë. Në përputhje me këtë Raport për vitin 2022 dhe 2023 zonja Deliu-Kodra është kompensuar për 9 mbledhje të Komisionit, në vlerë prej 2351.04 euro, ndonëse nuk ka qenë fare e pranishme në këto mbledhje”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Në njoftim thuhet se “bazuar në Ligjin për kompensimin e viktimave të krimit, anëtarët e Komisionit shkarkohen nga funksioni para skadimit të mandatit në rast të kryerjes së detyrave në mënyrë të pandërgjegjshme.
“Rrjedhimisht konsideroj që fakti se e njëjta nuk ka marrë pjesë në mbledhje dhe është kompensuar, është veprim i pandërgjegjshëm pavarësisht që kjo rrethanë nuk ndërlidhet drejtpërdrejtë me punën si anëtar komisioni”, thuhet në njoftim.