Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI), ka zhvilluar disa operacione për zbulimin dhe sekuestrimin e armëve ilegale në zonën e komunës së Zubin Potokut.
Operacionet janë zhvilluar nga 6 deri më 17 gusht, ndërsa gjatë tyre janë konfiskuar mjete të shumta ushtarake, si dhe një numër i madh uniformash dhe çantash ushtarake të ushtrisë dhe Policisë së Serbisë.
Sipas Policisë së Kosovës, operacionet janë bazuar në informacione të siguruara përmes punës operative në terren, si dhe në bashkëpunim me banorët lokalë. Nga këto informacione, hetuesit kanë arritur të identifikojnë subjekte me interes potencial për hetimet lidhur me aktivitete të dyshuara kriminale.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se bashkëpunimi me qytetarët dhe institucionet e tjera ka qenë i rëndësishëm në sigurimin e informacioneve operative.
“Siguria është një element kryesor për çdo shoqëri në botë, armët e zjarrit, eksplozivët, municionet vazhdojnë të jenë një rrezik i madh për sigurinë e qytetarëve tanë me qëllim të parandalimit dhe sekuestrimeve të armëve ilegale Policia e Kosovës në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë si dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, drejtorin e hetimeve të krimeve të luftës nga data 6 gusht deri më datën 17 gusht kanë zhvilluar disa operacione për zbulimin e armëve ilegale në zonën e komunës së Zubin Potokut. Janë konfiskuar mjete të shumta ushtarake si dhe numër të madh uniformash, çanta ushtarake të ushtrisë së Serbisë dhe Policisë së Serbisë. Pas informacioneve të siguruara kohëve të fundit, nga puna operative në teren si dhe bashkëpunimi i ngushtë me banorët lokalë janë arritur të sigurojmë informacione, ku është bërë e mundur që të profilizohen subjekte me interes potencial për të pasur njohuri në lidhje me aktivitete kriminal me të cilin ishin objekte hetimi”, ka thënë Hoxha në konferencë për media.

