Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se Shqipëria dhe Sllovenia ndajnë bindjen se zgjerimi i Bashkimit Evropian (BE) është një proces i bazuar në meritë, transmeton Anadolu
Ministri Hoxha po merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, ndërkohë është takuar me ministrin slloven të Punëve Jashtme, Tone Kajzer.
“Patëm një shkëmbim thelbësor mbi pranimin e Shqipërisë në BE, të ardhmen e Evropës dhe rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu diskutuam nevojën për të forcuar më tej lidhjet tona ekonomike dhe kontaktet njerëzore, duke i sjellë ato në përputhje me dialogun e shkëlqyer politik midis dy vendeve tona”, tha Hoxha në rrjetet sociale.
Duke theksuar se Shqipëria dhe Sllovenia ndajnë bindjen se zgjerimi i BE-së është, para së gjithash, një proces i bazuar në meritë, i fituar përmes reformave, rezultateve dhe besimit të ndërsjellë, ai tha: “Në të njëjtën kohë, është gjithnjë e më shumë një imperativ gjeopolitik dhe një investim për një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më elastike”.
Kryediplomati Hoxha ka shtuar se Shqipëria është plotësisht e përkushtuar për të ruajtur ritmin e reformave dhe për të përmbushur angazhimet e saj, sipas tij me objektivin e avancimit me vendosmëri drejt përfundimit të negociatave të pranimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.

