Organizata “Human Rights Watch” (HRW) njoftoi se politikat dhe sistemet e monitorimit të përmbajtjes së kompanisë Meta, pronari i Facebook, Instagram dhe WhatsApp po censurojnë gjithnjë e më shumë postimet që mbështesin Palestinën në Instagram dhe Facebook pas sulmeve të Izraelit ndaj Gazës të cilat vazhdojnë që nga 7 tetori e deri më tani, transmeton Anadolu.
Në raportin prej 51 faqesh të publikuar nga HRW me titull “Premtimet e pambajtura të Meta-s: Censura sistematike e përmbajtjes për Palestinën në Instagram dhe Facebook”, vihet në dukje qëndrimi pro-izraelit i Meta-s në pronësi të Mark Zuckerberg, në platformat e medias sociale që ajo ka nën strukturën e saj.
Në raport, dokumentohen fshirja dhe shtypja e postimeve në platformat e Meta-s, ndaj shprehjeve paqësore që mbështesin Palestinën, përfshirë diskutimet publike për të drejtat e njeriut të palestinezëve.
Në kuadër të punimeve për raportin, HRW shqyrtoi 1.050 censura nga më shumë se 60 vende.
Raporti tha se janë identifikuar 6 modele bazë të censurës, ku çdonjëra prej tyre është përsëritur të paktën 100 herë, ku në mesin e tyre përfshihen fshirja e përmbajtjes, pezullimi ose fshirja e llogarive, pamundësia për të bashkëvepruar me përmbajtjen, pamundësinë për të ndjekur ose etiketuar llogaritë, kufizimin e përdorimit Instagram/ Facebook Live si dhe reduktimi i shikueshmërisë pa paralajmërim të llogarisë ose bllokimi i postimeve, historive të një personi.
Më tej në raport theksohet se rastet e shqyrtuara kanë treguar përputhje me raportimet e vazhduara për vite të tëra nga organizatat palestineze, rajonale dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të cilat detajojnë censurën e Meta-s kundër përmbajtjeve që mbështesin palestinezët.
Heqja dhe shtypja e përmbajtjes pro-palestineze buron nga politikat e monitorimit të përmbajtjes si dhe nga zbatimi i paqëndrueshëm i Meta-s, thuhet në raportin ku bëhet e ditur se në më shumë se 300 raste, përdoruesit nuk kanë mundur të kundërshtojnë përmbajtjen për shkak të “defektit” në mekanizmin e kundërshtimit.
Platforma ka vazhduar qëndrimin e saj të paqëndrueshëm duke hequr dhjetëra përmbajtje të vlefshme për lajme që dokumentojnë vrasjet dhe plagosjet e palestinezëve, theksohet në raport.
Deborah Brown, drejtuese e lartë të HRW tha se “Censurimi i Meta-s ndaj përmbajtjes që mbështet Palestinën, poshtëron edhe më shumë dhimbjet, në një periudhë kur brutaliteti dhe shtypja në përmasa të pashpjegueshme po mbysin aktualisht shprehjet e palestinezëve”. Ajo shtoi se censura e Meta-s kontribuon në fshirjen e dhimbjeve të palestinezëve.
“Meta në vend të premtimeve boshe, duhet të tregojë se është serioze që të marrë në konsideratë të plotë censurën lidhur me Palestinën duke ndërmarrë hapa konkretë në drejtim të transparencës dhe përmirësimit”, nënvizoi Brown.
– Meta zbatoi listën e “organizatave terroriste” të përcaktuara nga SHBA-ja
Në qindra raste të dokumentuara, Meta ka aplikuar politikën për “Organizatat dhe individët e rrezikshëm” në të cilën zbatohet lista e “organizatave terroriste” të përcaktuar nga SHBA-ja, thuhet në raportin ku vihet në dukje se këto lista Meta i ka zbatuar gjerësisht për të kufizuar diskursin legjitim për tensionet mes Izraelit dhe grupeve të armatosura palestineze.
– Meta nuk ka përmbushur angazhimet e saj
Raporti i HRW-së nuk është ankesa e parë kundër Meta-s.
Në një raport të saj të vitit 2021, HRW dokumentoi censurimin e Facebook-ut për diskutimet e çështjeve për të drejtat e njeriut në lidhje me Izraelin dhe Palestinën, duke theksuar se Meta “vendos në heshtje (censurim) shumë njerëz në mënyrë arbitrare dhe pa bërë shpjegime”.