RTV AHIRETI
Lajme

Hulumtim, 95 për qind e serbëve mendojnë se situata në Kosovë nuk po shkon në drejtim të duhur

hulumtim,-95-per-qind-e-serbeve-mendojne-se-situata-ne-kosove-nuk-po-shkon-ne-drejtim-te-duhur

Rreth 95 për qind e serbëve në Kosovë mendojnë se vendi nuk po shkon në drejtim të duhur dhe jeta për serbët në tre vitet e ardhshme do të jetë shumë më e vështirë sesa që është aktualisht, thuhet në hulumtimin e ri të bërë me serbët që jetojnë në Kosovë, raporton Anadolu.

Hulumtimi vjetor i quajtur “Analiza e Trendit 2023”, i realizuar nga organizata joqeveritare “Aktiv” bëhet me qëllim të identifikimit të nevojave, prioriteteve dhe shqetësimeve të komunitetit serb në Kosovë. Sipas drejtorit të organizatës “Aktiv”, Miodrag Miliçeviq, nga viti 2016, kur ka filluar publikimi i këtij hulumtimi vjetor, deri më tani, asnjëherë nuk ka pasur tone më pesimiste nga qytetarët serbë të Kosovës.

Ai tha se mbi 80 për qind e të anketuarve serbë në Kosovë kanë deklaruar se “nuk i besojnë asnjë lideri politik, asnjë partie politike në Kosovë”. “2/3 e të anketuarve mendojnë se jostabiliteti ekonomik është shkaktari kryesor apo kyç i kësaj situate në të cilën ndodhemi dhe për çka i kemi këto rezultate alarmante. Përveç kësaj, ajo pjesë është e lidhur edhe me mungesën e plotë të besimit në liderët dhe partitë politike në Kosovë, mendojmë para se gjithash ato të komunitetit serb, mirëpo edhe shqiptar”, theksoi Miliçeviq.

Miliçeviq tha se edhe pas luftës në Ukrainë, mbi 50 për qind e serbëve në Kosovë vazhdojnë të besojnë se Rusia është mbrojtëse më e mirë se Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për interesat e tyre.

“Ajo që është alarmante nga ky raport është çështja e sigurisë. 90 për qind e të anketuarve në veri deklarojnë se ose ata ose anëtarët e tyre të familjes kanë qenë të rrezikuar në mënyrë direkte vitin e kaluar. Kjo është një e dhënë shumë e madhe dhe e rrezikshme e cila shënon një trend të rritjes dhe është diçka që po theksohet në mënyrë shumë negative në këtë raport”, tha Miliçeviq.

Raporti po ashtu bën të ditur se 40 për qind e të anketuarve besojnë se marrëveshja midis Beogradit dhe Prishtinës dhe formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është zgjidhja më e pranueshme për ta. Megjithatë, tensionet në veri të Kosovës gjatë vitit 2023, përfshirë edhe vendimet politike, sipas raportit, pritet të kenë pasoja negative afatgjata në marrëdhëniet ndëretnike dhe bashkëpunimin e përgjithshëm ndërmjet komuniteteve në Kosovë.

Hulumtimi u realizua me 36 pyetje drejtuar 536 serbëve që kryesisht jetojnë në komunat veriore të Kosovës.

Related posts

Rafah ‘fokusi kryesor’ i ushtrisë izraelite në Gaza

rezart morina

Ministri Krasniqi takohet me kryetarët e rinj të komunave veriore, bisedojnë për konstituimin e organeve komunale

rezart morina

Rritet në 72 numri i ushtarëve të vrarë izraelitë gjatë luftimeve në Gaza

rezart morina