RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Hungaria voton pro anëtarësimit të Finlandës në NATO

hungaria-voton-pro-anetaresimit-te-finlandes-ne-nato

Parlamenti i Hungarisë ratifikoi të hënën aplikimin për anëtarësim e Finlandës në NATO. Por, ende nuk është votuar edhe për anëtarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake.

Finlanda dhe Suedia kërkuan t’i bashkohen NATO-s vitin e kaluar, në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës. Por ky proces është penguar nga Turqia dhe Hungaria.

Megjithëse aplikimi finlandez tashmë është miratuar, ai suedez është ende i bllokuar në parlamentin hungarez.

Projektligji për pranimin e Finlandës në NATO u miratua me 182 pro dhe gjashtë vota kundër, pasi u shty disa herë.

Hungaria mbetet i vetmi vend anëtar i NATO-s, që përveç Turqisë, nuk ka miratuar ende aplikimin e Suedisë për t’iu bashkuar aleancës ushtarake perëndimore.

NATO-ja kërkon që të 30 shtetet të ratifikojnë aplikimet për anëtarësim me qëllim që të pranohen shtetet e tjera.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se i kishte kërkuar Turqisë dhe Hungarisë që të ratifikojnë të dyja kërkesat.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha javën e kalaur se Turqia do të nisë procesin e ratifikimit të anëtarësimit të Finlandës në NATO, por jo edhe të Suedisë.

Ankaraja kundërshton pranimin e Suedisë, pasi thotë se strehon persona që i konsideron anëtarë të organizatave terroriste.

Finlanda, Suedia dhe Turqia në qershorin e vitit të kaluar arritën një marrëveshje trepalëshe. Turqia shprehu frustrimin e saj lidhur me atë që e sheh si dështim të Suedisë për t’iu përmbajtur zotimeve të marrëveshjes.

Ankaraja pezulloi negociatat me Suedinë pas një proteste të mbajtur në janar në Stokholm, ku para ndërtesës së Ambasadës turke u dogj një Kuran. Por, më 9 mars, dy shtetet rinisën bisedimet në Bruksel.

Erdogan tha se anëtarësimi i Stokholmit në aleancën ushtarake perëndimore do të varet drejtpërdrejt në masat që ndërmerr sa i përket kërkesave turke lidhur me terrorizmin. /rel

Related posts

Papa Françesku bën thirrjen: Feja të mos përdoret për nxitje të konflikteve

admin

Rusia pezullon pjesëmarrjen në traktatin me SHBA-në për armët bërthamore

admin

Shqipëria dyfishon pagën për ushtarët që shërbejnë në Kosovë

rezart morina