Instituti i Kosovës për Drejtësi ka paralajmëruar rrezikimin e pensionit kontributdhënës për mijëra qytetarë të Kosovës, për shkak të një vendimi të Qeverisë.
Sipas komunikatës së IKD-së, 15 korriku 2023, i dhënë si afati i fundit ligjor nga Gjykata Kushtetuese për Qeverinë dhe Kuvendin që t’a shqyrtojnë Ligjin për Skemat Pensionale, është shkelë nga Qeveria duke e futur këtë Projektligj në rend dite, më 30 korrik 2023.
“Gjykata ka urdhëruar Kuvendin dhe Qeverinë, që jo më larg se data 15 korrik 2023, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji. Në të njejtën kohë, këto dispozita do të shfuqizohen me 15 korrik 2023. Në rastin kur Qeveria nuk respekton këtë datë, do të jenë qytetarët ata që do të pësojnë më së shumti. Ata do të detyrohen të paguajnë avokatë për të ngritur padi në Gjykatat Themelore për të gëzuar të drejtën e pensionit kontributdhënës sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Për shkak se do të gjenerohen shpenzime procedurale, kjo situatë mund të dëmtojë edhe buxhetin e Republikës së Kosovës.
Por, Qeveria ka planifikuar që projektligjin që synon të adresojë kërkesat e Gjykatës Kushtetuese, vetëm në Qeveri, ta miratoj me 30 korrik 2023”, thuhet në komunikatën e IKD-së.
Sipas komunikatës, Qeveria në kundërshtim me afatet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ka vendos për Projektligjin për Skemat Pensionale, duke rrezikuar të drejtat e mijëra pensionistëve
“Afati i përcaktuar nga Qeveria është në kundërshtim me kërkesat e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Në sistemin kushtetues të Kosovës, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë ekuivalente me normën kushtetuese. Kështu, ky veprim i Qeverisë është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Veprimet e nevojshme për adresimin e kërkesave në bazë të aktgjykimit nënkuptojnë hyrjen në fuqi të projektligjit të ri për skemat pensionale me 15 korrik 2023 dhe jo miratimin e projektligjit në Qeveri me 15 ditë vonesë. Duke pasur parasysh që edhe Kuvendi i Kosovës shkon në pushim në fund të muajit korrik dhe fillimi i punës së Kuvendit nis të hënën e dytë të muajit shtator, atëherë miratimi final i projektligjit do të bëhet me vonesë prej disa muajve.
IKD shpreh shqetësimin e thellë për papërgjegjshmërinë e Qeverisë së Kosovës në lidhje me mos zbatimin e kërkesave të plota që dalin nga Aktgjykimi në rastin nr. KO190/19. Vonesat në miratimin e këtij projektligji nga Qeveria shkelin të drejtat e mijëra pensionistëve të Kosovës dhe paraqesin mos zbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në komunikatë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar paragrafin 2 të nenit 8 te Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale, pasi në mënyrë diskriminuese përmes këtij neni mijëra qytetarë duke mos e përmbushur kriterin e përvojës prej 15 viteve pune para janarit të viti 1999 nuk e kanë gëzuar pensionin kontributdhënës, por vetëm atë të moshës.
“IKD, kërkon që me rastin e miratimit të projektligjit në Qeveri, të respektohen standardet minimale të pjesëmarrjes së publikut në konsultime publike me qytetarë dhe grupeve të interesit dhe më pas një projektligj i tillë të miratohet me procedurë të përshpejtuar në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që ky ligj të hyj në fuqi jo më vonë se data 15 korrik 2023”, thuhet në komunikatën e Institutit të Kosovës për Drejtësi.